Kryeministri Edi Rama duket se është në një situatë të vështirë pas zhvillimeve të fundit lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Pas këtij arrestimi, Rama ka shfaqur një nivel të lartë frike dhe paniku, duke u shqetësuar për mundësinë që hetimet e SPAK-ut të zgjaten dhe të përfshijnë edhe të tjerë të lartë të qeverisë, përfshirë veten. Në një deklaratë të ashpër të bërë gjatë dëgjesës së grupit parlamentar socialist me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, Rama ka kërcënuar SPAK-un, duke thënë se nuk do të lejojë që t’i merret celulari.
“Ta përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi dhe jo politikë. Kur them politikë është kjo: meqë njërin po e lëmë në ballkon, të kapim 3 nga këta të tjerët. Meqë kapëm kryetarin e Bashkisë, të kapim dhe këtë tjetrin për diplomë. Të përfundojë njeriu në SPAK për diploma…Çfarë është kjo? Në këtë kuptim e kam kur them politikë. Ndjekin mediet, kompleksohen dhe bëjnë balet. Dhe mos të bëjnë gabim të kërkojnë telefonin tim sepse boll i kanë, kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të merren me faktet”, është shprehur Rama.
