Pas dekadash negociatash, traktati i Mercosur vazhdon të ngjallë polemika. Qindra fermerë kanë protestuar gjatë javëve të fundit në Francë dhe vende të tjera evropiane kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë midis BE-së dhe bllokut të Amerikës së Jugut që përbëhet nga Brazili, Argjentina, Paraguaj, Uruguai dhe Bolivia (e njohur edhe si Mercosur). Megjithatë, traktati Mercosur është shumë i diskutueshëm dhe flitet sesi vendet kundërshtare, si Franca, mund ta bllokojnë marrëveshjen. Mercosur është një marrëveshje e tregtisë së lirë që synon të eliminojë pothuajse të gjitha taksat për produktet që tregtohen mes dy blloqeve nënshkruese. Marrëveshja synon të krijojë një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë, që përfshin 750 milionë njerëz dhe rreth një të pestën e ekonomisë globale. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje , Evropa do të mund të eksportonte shumë më lehtë makina, makineri, pesticide, farmaceutikë, verë dhe djathë. Nga ana tjetër, Evropa do të mund të importonte pjesë makinash dhe produkte ushqimore me një çmim shumë më të lirë nga vendet e Amerikës së Jugut.
Marrëveshja tregtare
Bashkimi Evropian dhe Mercosur do të krijojnë një treg prej 700 milionë banorësh. Dhjetëra mijëra kompani evropiane që tashmë tregtojnë me Amerikën Latine do të përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo, dhe gjysma e tyre janë kompani të vogla dhe të mesme. Mercosur ka tarifa të larta për produktet evropiane: 35% për modën, 27% për verën dhe deri në 55% për produktet e tjera bujqësore dhe ushqimore. Me këtë marrëveshje do të eliminohen pothuajse të gjitha taksat doganore për të gjitha produktet. Takimi i Mercosur, i cili do të mbahet më 5 dhe 6 dhjetor në Uruguaj, mund të jetë një moment kyç për nënshkrimin e marrëveshjes. Ky treg dinamik do të hapet për eksportuesit evropianë. Nëse BE-ja dhe blloku i Amerikës së Jugut arrijnë të finalizojnë traktatin atëherë, do të duhen ende disa muaj, nëse jo vite, që rregullat e tij të reja të hyjnë në fuqi.
Kundërshtimi i Francës
Disa ekonomi të mëdha të BE-së janë në favor të traktatit, si Gjermania, Portugalia dhe Spanja. Por Franca e ka kundërshtuar me zjarr traktatin Mercosur, së bashku me Poloninë, Austrinë dhe Holandën. Të mërkurën e kaluar, dhoma e ulët e parlamentit të Francës votoi pothuajse njëzëri kundër marrëveshjes, një shfaqje e rrallë uniteti në një vend të ndarë politikisht. Por votimi ishte thjesht një votim simbolik. Nëse do të bllokonte marrëveshjen tregtare, Francës do t’i duhej të mblidhte të paktën tre vende të BE-së që përfaqësojnë të paktën 35% të popullsisë së bllokut. Për momentin, i vetmi vend i populluar që i është bashkuar krahut të Francës është Polonia. Parisit i duhet ende të gjejë dy vende të tjera të mëdha për të formuar një pakicë bllokuese.
