Nuk kanë fund vrasjet në vend. Pas vrasjes së dy të rinjve në Velipojë dhe dy shtetasve amerikanë në Tiranë dy ditë më parë, ditën e djeshme është raportuar për dy viktima të tjera. Kështu një i moshuar është gjetur pajetë mëngjesin e sotëm në fshatin Zhapokikë 2 të Bashkisë Memaliaj. Dëshmitarë të rastit kanë gjetur të pajetë trupin e Faik Ajdini 72 vjeç, banor i këtij fshati ku kane vënë në dijeni policinë. I moshuari u gjet i pajetë në një përrua në afërsi të fshatit prej familjarëve. Nga konstatimet paraprake në trupin e të ndjerit, janë konstatuar dy goditje në qafë dhe në kokë ku plaga në qafe ka shkaktuar hemorragji çka ka shkaktuar vdekjen. Goditjet kanë qenë me mjete prerëse sëpatë apo thikë. Terreni shumë i vështirë në përrua ku gjendet trupi i te ndjerit, ka bërë që në vendngjarje të shkojnë specialistët e grupit hetimor për të dalë në përfundime konkrete.
Detajet
Sipas pistës fillestare, vrasja e 72-vjeçarit Faik Ajdini në fshatin Zhapokike besohet se është kryer për një konflikt me një nga çobanët e zonës, me të cilët dy muaj më parë ai ka pasur përplasje lidhur me një kullotë për bagëtitë. Deri ditën kur ka ndodhur vrasja, viktima Ajdini ka shërbyer si kryeplak i fshatit pranë bashkisë Memaliaj. Ai ishte njeriu që merrej me ankesat e bashkëfshatarëve duke i adresuar këto ankesa në strukturat policore dhe bashkisë Memaliaj. Për momentin prokuroria e Gjirokastrës që po heton rastin e lidh ngjarjen për shkak të detyrës që kryente 72-vjeçari Faik Ajdini. Ndërsa konflikti për kullotën e bagëtive është motivi kryesor. I moshuari kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në shtëpi. Ndërsa ditën e djeshme, familjarët kishin bërë denoncim në policinë e Memaliaj. Njëherësh kërkimet janë kryer nga anëtarët e familjes së Faik Hajdinit, i cili mëngjesin e sotëm është gjendur buzë një përroi që lidhet me lumin Vjosa. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhe efektivët e policisë, të cilët kanë konstatuar se kryeplaku ishte qëlluar dy herë me thikë. Për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes aktualisht, prokuroria e Gjirokastrës ka caktuar një ekspert mjeko-ligjor, për kqyrjen e trupit të pajetë. Hetimet tashmë janë duke vijuar duke marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe çobanin me të cilin kryeplaku Faik Ajdini, ka pasur konflikt dy muaj më parë.
Vritet një 68-vjeçar në Mirditë
Ndërkohë një 68-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri në banesën ku kalonte muajt e verës në fshatin Lajthizë në Mirditë. 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte. “Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën. Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati. Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat”, njoftoi policia.
Detajet
Sakaq policia dyshon se ai është qëlluar me armë nga dritarja e banesës, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur gjithë çka ndodhur. Sipas dyshimeve të para mendohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, teksa komunikimi i fundit i viktimës ka qenë me të motrën. Te hënën e bija e ka marrë në telefon, por ai nuk është përgjigjur, ndërsa ngjarja u zbulua sot rreth orës 2 të mëngjesit kur vajza shkoi në fshat. Gazetarja Dorjana Bezat, ka mundur që të zbulojë detaje për ngjarjen, teksa në dritë del një konflikt i disa viteve më të parë mes viktimës dhe disa banorëve të fshatit. Shkak dyshohet një konflikt për kullotat në fshat. Sipas informacioneve dyshohet se 4 vite më parë për konfliktet e kullotave atë e kanë kërcënuar disa bashkëfshatarë me armë, por ngjarja në atë kohë nuk u denoncua dhe çështja u mbyll mes tyre. Për të mbrojtur këto kullota viktima shkonte çdo verë në fshat.
