Sonila Meço këtë radhë, i është kundërvënë Edi Ramës si besimtare bektashie, por edhe si stërmbesë e kryegjyshit. Madje, edhe si studiuese e rregullt e fesë bektashie.
Ja çfarë shkruan ajo:
Prej dje kërkoj të kuptoj, jo prej burimeve pranë kryeministrit (kësaj here nuk shoh asnjë arsye e mosarsye ta bëj dhe do ta shpjegoj pse), por pranë atyre të vendim-marrësve pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe e kam të pamundur të arrij një përfundim mbi idenë jo vetëm absurde, por edhe të rrezikshme e fyese mbi shpalljen e Republikës Sovrane të Urdhërit Bektashi brenda territorit të Shqipërisë.
Si bektashiane e përkushtuar prej besimit të trashëguar nga im atë (ndjesë pastë), si stërmbesë e Kryegjyshit Botëror Bektashian Baba Kamber Prishta (Meço), si studiuese e rregullt e literaturës historiko-fetare dua t’i sjell në vëmendje publikut çfarë faktet, devotshmëria, sakrifica dhe durimi kanë gërmëzuar pakundërshtueshëm në kushtetutën shpirtërore e historinë shekullore të bektashizmës: atdhedashurinë.
Ejani me mua të ripërshkruajmë galerinë e përkatësisë atdhetare me një dashuri mistike thuajse si ajo për Zotin edhe për Shqipërinë dhe më pas gjykoni vetë se çfarë emri t’i vini citimeve të kryeministrit shqiptar në prestigjozen amerikane New York Times. Dhe duhet ta gjykoni, t’i vini emër, sepse të guxosh të prekësh “palcën kurrizore” të një organizmi të gjallë e të përkorë si bektashizmi për ta “paralizuar” e më pas përdorur për qëllime okulte, atë, që Zoti i ka urdhëruar themeluesve të Bektashizmës e bekuar ndjekësve të saj është krim në mes të ditës ndaj lirisë së besimit.
Faktet im Zot, faktet:
Bektash Veliu në shekullin e trembëdhjetë krijoi këtë rrymë fetarë në Turqi. Asokohe ai pat deklaruar “Nuk ka asnjë dallim gjinor në debate. Gjithçka që ka krijuar Perëndia është aty. Nuk ka dallim midis burrit dhe gruas. Hendeku është në opinionet e tua”.
UNESCO është shprehur mbi të. Në faqen e internetit, institucioni i OKB-së deklaron se “Fjalët e filozofit Haxhi Bektash Veliut, nga shekulli i trembëdhjetë janë një mesazh që tetë shekuj më vonë, përkon me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të miratuar nga OKB-ja në vitin 1948”.
Rrënjët e urdhrit bektashian në Shqipëri datojnë prej më shumë se 8 shekujsh, atëherë kur misionari Sari Salltik erdhi në malin e Krujës dhe kontribuoi me veprën e tij në gjithë territorin e Shqipërisë dhe Ballkanit. Bektashizmi adhuron dhe respekton urdhëresat dhe veprimtaritë islame. Baza e tij është Kurani. Sot, qendra botërore e bektashinjve gjendet në Shqipëri.
Thënë këto, arsyet pse një Republikë Sovrane e këtij Urdhëri brenda Shqipërisë është kundër çdo parimi të vetë tarikatit e se kurrë një bektashi i devotshëm nuk do ta promovonte si id, i jep vetë qëllimi i ekzistencës së Urdhërit dhe mbijetesës së tij: Në Shqipëri, tarikati Bektashi përshkohet kryekëput nga damari patriotik dhe atdhetar. Ky urdhër u njehsua me Rilindjen Kombëtare dhe liderët shpirtërorë të tij u bënë aktivistë të shquar në lëvizjet shqiptare për vetëvendosje dhe autonomi kombëtare, duke vendosur rrënjët në identitetin kulturor për të mbrojtur Shqipërinë e bashkuar.
