Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta dhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për Sali Berishën sa i takon pasurisë, por edhe për mbylljen e hetimeve të aferës “Partizani”, ku është implikuar ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Spahiu shprehet me siguri se karriera e ish-presidentit Ilir Meta ka mbyllur ciklin e saj. Procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj zotit Meta, që do të zgjatet deri në vitin 2027, thekson juristi Spahiu, shënon një pikë kthese që e paralajmëron atë për një rrugë të vështirë përpara.
Më tej juristi zoti Spahiu e shikon mjaft të gabuar qasjen e Metës ndaj prokurorëve të SPAK dhe veçanërisht Altin Dumanit gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme. Spahiu vë në dukje se as mafia nuk e ka kërcënuar në gjykatë prokurorin, ashtu siç bëri Meta me Dumanin dhe Arben Krajën. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, juristi Spahiu trazon ujërat duke e krahasuar situatën me modelin “Sanader” të Kroacisë, teksa nënvizon se Shqipëria mund të përballet me zhvillime të ngjashme. Për më tepër, ai paralajmëron se SPAK ka në duar prova që mund të sjellin një goditje të fortë edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, e cila sipas tij, do të tronditë thellësisht opinionin publik
-Zoti Spahiu, ish-presidenti Ilir Meta është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Çfarë ndikimi mund të ketë arrestimi i Metës mbi stabilitetin politik në Shqipëri dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Arrestimi i Metës është çelsi për të hapur derën kryesore brenda BE-së. Ashtu si arrestimi i ish-kryeministrit Sanader futi Kroacinë në BE, ashtu si arrestimet e kryeministrave futën Sllovakinë, Rumani, Bullgari, ashtu do fusin dhe Shqipërinë. Arrestimi i Metës është pritur si lajm magjik nga populli, si shpresë për të mbyllur kapitullin 34-vjeçar. Pluralizmi politik ishte peng i establishmentit. Arrestimi i Metës dhe Berishës heq dy tullat kryesore për të fundosur murin që pengonte elitat e reja politike në Shqipëri.
-Si i interpretoni kërcënimet e tij ndaj prokurorëve të SPAK-ut dhe a besoni se këto mund të ndikojnë në procesin hetimor?
Ilir Meta ka fituar çdo betejë me drejtësinë duke joshur apo kërcënuar. Meta e priti aktin e fundit politik në jetë pa integritet. As Fatos Nano, as Nexhmije Hoxha, as Ramiz Alia nuk e kanë pritur pa dinjitet arrestimin. As mafia nuk kërcënon prokurorët në sallën e gjyqit siç bëri Meta me kreun e SPAK, Altin Dumani. Në fakt, Meta nuk është diskriminuar, por është favorizuar nga prokuroria, sepse çdo qytetar i thjeshtë po të shantazhonte prokurorët do t’i rëndohej akuza.
