Kredia e Banesave në Shqipëri: Rritje e Heshtur që Ngre Pyetje mbi Tregun

Data

Kredia për shtëpi ka vazhduar rritjen gjatë tremujorit të tretë të vitit, pavarësisht nisjes së aplikimit të masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë.

Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë, sektori bankar dha gjithsej rreht 13.8 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat progresive të 9-mujorit tregojnë se vlera e kredisë për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik për këtë vit. Gjatë nëntë muajve, sektori bankar disbursoi gjithsej 50 miliardë kredi, 27% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Portofoli aktiv total në fund të shtatorit arriti vlerën e 236 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky portofol është zgjeruar me pothuajse 18%.

Kredia për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi, po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti.

Që prej 1 korrikut të këtij viti, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të huamarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.

Në fakt, kritere të ngjashme janë aplikuar gjithmonë nga bankat në politikat e tyre të brendshme, por megjithatë në vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve kur bankat kanë ofruar kredi në tejkalim të kufijve të mësipërm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related