Ish-presidenti Alfred Moisiu ka komentuara situatën politike në vend. Teksa ishte i ftuara në një studio televizive, fillimisht zoti Moisiu ka analizuar riaktivizimin në politikë të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai ka thënë se Meta jo vetëm që ka bërë gabim, por ka ngritur dyshime edhe mbi mënyrën se si e ka krijuar pasurinë e tij. Ish-presidenti Moisiu theksoi se një pasuri e tillë nuk ngrihet dot me rrogë. “Ilir Metën e njoh herët, është djalë punëtor, por ka bërë gabime. Ka një pasuri që nuk e di domethënë, edhe unë isha president, unë jam me një shtëpi 52 vjet që në 72’. Pse nuk doja unë pallate? Me rrogë nuk bëhet more djalë. Unë nuk i blija dot. Unë jam i edukuar, duhet t’i japësh vendit tënd, jo t’i marrësh. Kështu jam përpjekur t’i edukoj edhe fëmijët e mi”, deklaroi ai. Më tej i pyetur se çfarë mendon për punën e kryeministrit, ai tha se Shqipëria ka ndryshuar dhe se Rama ka bërë edhe punë të mira, por edhe të këqija. “Rama ka një tufë me gabime por ka dhe punë të mira ndaj unë e quaj me një sy, jo me dy. Shqipëria ka ndryshuar, por unë për vete jam i pakënaqur”, u shpreh ai. Sipas ish-presidentit, SPAK duhet të godasë më fort pasi peshku qelbet nga “koka”. “Korrupsioni është rritur, jam i pakënaqur nga puna e SPAK, të punojë më fort tu bjerë në kokë të këqijave. Peshku qelbet nga koka, duhet të jenë të ashpër”, tha ai. Ndërkohë Moisiu thumboi edhe Berishën. “Nuk e kuptoj si Berisha është në arrest dhe mban fjalim natë për natë. Është sfidë kjo për drejtësinë dhe drejtësia duhet ta rregullojë këtë, duhet rregulluar”, shtoi ai ndër të tjera. Nga ana tjetër, ish-presidenti i Shqipërisë në vitin 2002-2007, Alfred Moisiu ka treguar prapaskenat e marrëveshjes së Berishës me Ramën në vitin 2007 dhe ngujimi i tyre derisa dolën me një kompromis për zgjedhjet e atij viti. “Ishte viti 2007, në prag të zgjedhjeve lokale, mirëpo Partia Socialiste nuk donte të merrte pjesë në zgjedhje, sepse nuk kishin garanci për lirinë e votës. OSBE nuk arriti asgjë dhe po vinte koha e zgjedhjeve. Vijnë te unë partitë e vogla dhe më thanë: Çfarë do bëhet? U shqetësova dhe thirra njerëzit e duhur. Ramë dakord dhe në janar jemi mbledhur në presidencë gjithë kryetarët e partive parlamentare dhe kemi ndenjur 2 ditë. Do mblidhemi t’i japim rrugë kësaj pune. I ndava dy grupe dhe pas dy ditëve u firmos marrëveshja. Kemi dhe një foto historike nga ai moment”, nënvizoi ish-presidenti Alfred Moisiu.
Korrupsioni është rritur, pallatet e sarajet nuk bëhen dot me rrogë, ish-presidenti Alfred Moisiu “trondit” politikën shqiptare, ja mesazhet për Metën, Berishën dhe Ramën
Data
