Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar gjendjen e rënduar të ndotjes në Lushnjë, duke publikuar pamje nga kanali vaditës që përshkon qytetin.
Sipas Korreshit, grumbullimi i mbetjeve plastike ka bllokuar rrjedhën e kanalit, duke krijuar ndotje të rëndë, erë të pakëndshme dhe shtim të insekteve, çka sipas tij përbën rrezik për shëndetin e banorëve.
Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti akuzoi institucionet vendore dhe qendrore për neglizhencë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin e kanalit dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
“Kur bidonat plastikë dhe mbeturinat pushtojnë dhe bllokojnë kanalin vaditës që kalon përmes Lushnjës, banorëve u mbetet vetëm era e rëndë, mushkonjat dhe një burim i vazhdueshëm infeksioni. I bëj thirrje qeverisë dhe Bashkisë që taksat e qytetarëve t’i kthejnë në shërbime. Na falni nëse ju prishëm plazhin në një ditë të diel, por qytetarët po mbyten nga ndotja”, shkroi Korreshi.
Deputeti kërkoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse, duke theksuar se pastrimi i kanalit dhe menaxhimi i mbetjeve janë detyrime themelore ndaj qytetarëve.
