Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës pritet të shqyrtojë në sesionin e 44 që mbahet në Strazburg nga data 2 deri më 6 dhjetor ndikimet në Lumin Vjosa në Shqipëri dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Konventa e Bernës, e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane, është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës.
Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Konventa, Komitetit të Bernës pritet t`i paraqiten dy raporte, një nga qeveria shqiptare dhe një nga “ankuesit” që përfshijnë organizatat mjedisore shqiptare “Eco Albania” dhe “PPNEA”, lidhur me zhvillimet dhe kërcënimet e mundshme të ekosistemit të lumit “Vjosa” dhe ndikimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Konventa e Bernës i ka kërkuar një vit më parë qeverisë shqiptare përmes një rekomandimi zyrtar, të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.
