Policia e ndihmuar edhe nga forcat RENEA po kontrollon me qen dhe dron zonën ku dyshohet se është fshehur autori i vrasjës së policit, Novruz Cenalia në Fier.
Kontrollet janë përqendruar pranë shtëpisë së tij në fshatin Sulaj, ndërkohë policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh kush jep informacion mbi autorin, shtetasin Azgan alias Aslla Mërnica.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi Novruz Cenalia, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica (në foto), 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro”, tha policia në një informacion për mediat
Makina e autorit te dyshuar
Krimi dhe pistat e hetimit
Krimi i rëndë ndodhi në fshatin Baltëz të Fierit, gjatë kohës kur efektivi po shkonte për në punë. Zyrtarisht policia thotë se shkak për këtë vrasje dyshohet të jetë bërë një konflikt i çastit.
Viktima dyshohet se e ka parakaluar të riun dhe ky i fundit e qëlloi me pistoletë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.
Autoritetet nuk përjashtojnë edhe pista të tjera hetimi, pasi autori ashtu sikurse viktima ishin me origjinë nga Hasi.
Babai i 28-vjeçarit, me profesion po ashtu efektiv policie, mësohet se në kushtet e vetëmbrojtjes kishte vrarë në 1997 fqinjin e tij. Që prej asaj kohe, familja Cenalia ishte larguar për t’u vendosur në Fier, dyshohet për shkak të gjakmarrjes.
Efektivi Novruz Cenalia kishte rreth 3 vjet që ishte pjesë e policisë. Aktualisht ai ishte pjesë e repartit “Shqiponja”.
