Komisioni Hetimor për sistemin TIMS nisi nga puna të martën dhe do të ketë një afat 4 mujor për të konkluduar punën e tij. Kryetari i komisionit, Ervin Salianji prezantoi planin e punës si dhe listën e dëshmitarëve që do të thirren para hetimorit. Sipas planit të hetimeve, emra titullarësh të lartë shtetërorë si kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe paraardhësi i tij, Bledi Çuçi u kërkuan nga opozita për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar.
Mirëpo, mazhoranca bëri një kundërpropozim duke kërkuar që në cilësinë e personave që kanë dijeni, nisur nga denoncimet publike, të dëshmojnë edhe Sali Berisha, Lulzim Basha e Gazment Bardhi. Kërkesë e cila duket se ka gjetur dakordësinë e kryetarit të komisionit, Salianji.
BalkanWeb ka siguruar planin hetimor të komisionit parlamentar të TIMS-it ku krahas emrave të Ramës, Ballës, Çuçit, drejtorit të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, paraardhësit të tij Gledis Nano e drejtuesve e ish-drejtuesve të SHISH, janë miratuar si dëshmitarë edhe emrat e përfaqësuesve demokratë.
“Komisioni rezervon të drejtën që ne Planin e Hetimit të thërrasë për të dëshmuar çdo person apo funksionar tjetër që ka dijeni rreth objektit të hetimit, dhe që rezulton i përfshirë në këtë çështje nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar”, thuhet në shkresën e firmosur nga Ervin Salianji.
