Komisioni Europian ka reaguar pas deklaratave të kreut të Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili akuzoi ambasadorin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, për qëndrime të njëanshme dhe “dezinformim”.
Në një përgjigje zyrtare, Komisioni Europian theksoi shkurt se nuk ka koment ndaj spekulimeve, duke shmangur përfshirjen në debatin politik të ngritur në Tiranë.
Deklarata e KE vjen pasi Berisha, gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së PD-së, kritikoi ashpër ambasadorin Gonzato, duke e akuzuar se po sillet si përfaqësues i qeverisë së Edi Rama dhe se ka bërë deklarata të papranueshme për çështje që lidhen me institucionet shqiptare, përfshirë AKSHI-n.
Berisha e cilësoi si “fyerje të rëndë” pretendimin se problemet në këtë institucion janë çështje kulturore, duke theksuar se sipas tij bëhet fjalë për përgjegjësi politike dhe jo për karakteristika të shoqërisë shqiptare.
Ai gjithashtu akuzoi Gonzaton se po deformon qëndrimet e PD-së në lidhje me procesin e integrimit europian, duke theksuar se kjo forcë politike ka qenë dhe mbetet një nga mbështetëset kryesore të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, reagimi i Komisionit Europian tregon një përpjekje për të mos u përfshirë në polemika politike të brendshme, duke ruajtur një qëndrim neutral ndaj akuzave të ngritura.
