Hetimi i zhvilluar nga prokurorja e Tiranës, Eloida Goxhi, për një rast falsifikimi kompjuterik, nuk është një ndër ato çështjet e rëndomta, kur një djalosh i ri, me aftësi teknologjike, tenton të mashtrojë institucionet publike. Rasti i 20-vjeçarit Ermes Hoxhalli nga Devolli dhe student i vitit të parë në Universitetin e Arteve në Tiranë, është një histori e pabesueshme, e denjë për skenar filmi komik.
Me një telefon në dorë, ai krijoi një identitet të rremë. Nëpërmjet aplikacionit “ëhatsapp”, ai u prezantua në Ministrinë e Arsimit si “Klea Rama”, mbesa e kryeministrit Edi Rama.
Dorëzoi virtualisht një projekt joshës-“Let’s Talk About US 2023-2024”-një cikël trajnimesh me konkursesh, nëpërmjet të cilit maturantët shqiptarë do të kishin mundësi të vijonin studimet e larta në Shtetet e Bashkuara.
Askush nuk e takoi, askush nuk e verifikoi identitetin e Kleas. Mjaftonte vetëm fakti që ajo përdori kodin “jam mbesa e Edi Ramës” dhe të gjitha rrugët iu hapën si me magji në sistemin arsimor shqiptar, duke nisur nga Kupola.
