Bujar Spahiu u rizgjodh të shtunën në krye të Komunitetit Mysliman për një mandat të dytë 5-vjeçar. Procesi i rizgjedhjes së drejtuesit të Komunitetit u survejua nga policia që kishte marrë masa për të evituar përplasjet mes besimtarëve myslimanë, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të kontestojnë procesin. Sulmi i njerëzve të presidentit turk Erdogan u “thye” dhe KMSH do të ngelet sërish kështjellë pro-perëndimore. E gjithë lufta e “Sulltanit” vazhdon të bëhet pasi Bujar Spahiu konsiderohet nga shteti turk si një njeri pranë fondacionit FETO (gylenist), pasi ka studiuar përmes ndihmesës me bursë nga një nga fondacionet e themeluara nga Fetullah Gylen. As kryeministri Edi Rama nuk kishte se çfarë të bënte në këtë situatë, edhe pse pak ditë më parë mori direktiva të qarta nga Erdogan për “kokën” e Bujar Spahiut. Koha ka treguar se kryeministri shqiptar “i ka duart e lidhura” nga amerikanët. Kur bëhet fjalë për goditje gylenistësh në vendin tonë, futet në lojë Uashingtoni, pasi janë ata mbajnë të strehuar Gylenin dhe po ashtu nuk pranojnë rritjen e ndikimit turk në Shqipëri.
Detajet nga zgjedhjet
Në garë për kreun e Komunitetit ishin tre kandidatura: Bujar Spahiu, kreu aktual i KMSH, i cili mori 82 vota kurse dy kandidatët e tjerë, Eduart Shefkiu, administrator i myftinisë Durrës dhe Emirjon Vathja, myfti i Beratit morën nga tre vota. Katër vota u shpallën të pavlefshme. “Të nderuar vëllezër dhe motra kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Ftoj cilindo të shpreh lirisht mendimet e tyre. Cilido prej jush do të vijojë gjet një atmosferë të mirë të lirisë së shkëmbimeve idesh dhe këshillimi të ndërsjelltë sa i shërben qëllimit dhe misionit. Institucioni nuk do ngurojë të ndjek rrugë ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes vëllezërve. KMSH do të vijojë të jetë vazhdues i traditës. Në 100 vite kemi qenë faktor stabiliteti paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Do vijojë të jetë kontribuues ky institucion në harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Do japim kontributin që Shqipëria të jetë më e begatë . Do vijojmë të japim kontributin tonë që të përparojë drejt Evropës. Do bëjmë çmos që familja të jetë e shëndetshme. I lutemi Zotit të jetë krah nesh për ta çuar përpara këtë punë. Le të kthejmë sytë nga Zoti dhe t’i lutemi atij të bëjmë të mirën dhe të refuzojmë të keqen. Amin”, tha Bujar Spahiu gjatë një fjalimi të mbajtur pas fitores. Në fund të procesit të zgjedhjeve Bujar Spahiu tha gjithashtu se do t’i drejtohej gjykatës për shpifjet që ishin bërë drejt komunitetit. “Institucioni nuk do ngurojë të ndjek rrugë ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes vëllezërve. KMSH do të vijoi të jetë vazhdues i traditës. Në 100 vite kemi qenë faktor stabiliteti paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Do vijojë të jetë kontribuues ky institucion në harmoninë dhe dialogun ndërfetar” u shpreh ai.
Protestat
Nga ana tjetër, një grup besimtarësh myslimanë i konsideronin këto zgjedhje si një teatër të orkestruar, pasi sipas tyre, dihej fitorja e Bujar Spahiut, të cilin e konsiderojnë si një njeri të Fet’hullah Gylenit. Ata kanë protestuar ditën e sotme jashtë Medresesë së Tiranës, ku me pankarta në duar i kanë bërë thirrje që gylenistët të largohen nga KMSH-ja. “Të largohen gylenistët nga pushtimi i KMSH-së”, “FETO Leave Albanian Islam Alone”, “Legjitimitet për KMSH-në”, “Gylenistë ne nuk iu duam”, ishin disa prej pankartave që mbanin ata në duar. Pas përfundimit të zgjedhje, ky grupim e konsideroi fitoren e Spahiut, si tek zgjedhjet në kohën e komunizmit, teksa paralajmëruan se do ta çojnë në gjykatë, jo votimin e fundjavës, por mënyrën se si këshillat kanë zgjedhur myftinitë nëpër rrethe. “Ai teatër për të cilin kemi folur u realizua dhe u vërtetua. Bujar Spahiu u zgjodh si në zgjedhjet e komunizmit. Gjithçka do të ndiqet në gjykatë. Jo ky votim, pasi ky votim u bë nga një Kuvend që dihej. Por për mënyrën se si janë zgjedhur nga Këshillat myftinitë e rretheve. Ashtu si edhe në Turqi, organizata FETO po tenton të kapë institucionet”, deklaroi njëri prej tyre. Në lidhje me xhaminë e Namazgjasë në Tiranë, ata thanë se shpresojnë që të hapët për mënyrën se si po flitet. “Na vjen keq që kjo xhami ka mbetur e mbyllur. Po shpresojmë të zgjidhet sipas mënyrës që po përflitet. Ku të administrohet nga ata që e kanë investuar. Kjo nuk është jashtë juridiksionit të KMSH-së. Për ne Turqia nuk mund t’ia dorëzojë këtë xhami një organizate të cilën e ka konsideruar terroriste”, u shpreh më tej. Ndërkohë, thuhet se në fundjavë, Laurent Luli ka lënë postin e Myftiut të Tiranës dhe është bërë nën/kryetar i KMSH-së. Ndërsa vendin e tij e ka zënë Gazment Teqja. Kujtojmë se rreth disa ditë më parë Laurent Luli u përzu nga myslimanët nga xhamia “Dine Hoxha” tek Rruga e Kavajës, duke e konsideruar si gylenist. Vlen të theksohet fakti se Erdogan, prej vitesh po i kërkon kryeministrit Edi Rama “pastrimin e mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Këtë kërkesa ia përsëriti edhe në vizitën e fundit zyrtare në Ankara më 20 Shkurt. “Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”, theksoi Erdogan. Peng i kësaj kërkese ka mbetur xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e investuar nga Turqia, e cila edhe pse ka mbaruar prej kohësh, ende nuk është inauguruar, për shkak se Erdogan i kërkon Ramës pastrimin e KMSH nga organizata “FETO”.
