Kontrolli i Lartë i Shtetit, (KLSH), ka audituar së fundmi Ministrinë e Brendshme. Raporti i finalizuar në korrik të 2024, nxjerr zbuluar disa shkelje, ku më e rënda është tek vendimi i transferimit të pronës së godinës së Qendrës së Automjeteve të Policisë së Shtetit, e njohur edhe si QSHAMT. Sipas KLSH, transferimi i pronave/ aseteve të Ministrisë së Brendshme (ish-QSHAMT) është një proces që nuk është bazuar në prioritete të shpallura dhe mbi një strategji sektoriale. Auditimi ka evidentuar se ka munguar standardizimi, dhe se vendimet mbi transferimin e pronës së QASHMT janë marrë në mënyrë të menjëhershme, në mungesë të një kuadri strategjik në lidhje me menaxhimin e aseteve, të rregulloreve specifike me procedura standarde (ligjore dhe administrative) për kategorizimin. rastet e transferimit dhe tjetërsimit të pronave publike, për të garantuar kontroll të pavarur dhe korrekt të procedurave për menaxhimin e këtyre pronave. Sipas KLSH, mungojnë mekanizmat që shpjegojnë e argumentojnë efektshmërinë dhe efikasitetin e procedurave, domosdoshmërinë dhe logjikën që qëndron pas vendimeve të marra për menaxhimin e këtyre pronave si dhe transparencën publike
Shkeljet e Lleshajt dhe Plarent Ndrecës
Nga auditimi u konstatua se prona me sipërfaqe 28,452 m2 ku ushtronte aktivitetin ish-QSHAMT, institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme, në harkun kohor prej 24 orësh, pa u kryer paraprakisht një studim dhe vlerësim i ankesës së ardhur nga qytetarët, në raport me interesat e Ministrisë së Brendshme, si dhe për funksionin e rëndësishëm që QSHAMT ka në administrimin dhe riparimin e mjeteve të MB dhe DPPSH, nëpërmjet vendimit nr. 528, datë 25.07.2019, të Këshillit të Ministrave kaloi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe në të njëjtën datë me vendimin nr. 529, datë 25.07.2019, kaluan në përgjegjësi administrimi të MB-së, pasuritë me nr. 3/771, 3/772, 3/773, 3/774, zona kadastrale 8240, me sipërfaqe totale 4,122 m2 (7 herë më e vogël se sipërfaqja në të cilën ushtronte aktivitetin QSHAMT) me vendndodhje në Rrugën Hamdi Pepa, me qëllim që në këtë pronë të zhvendosej QSHAMT. Sipas KLSH, këto veprime skandaloze janë bërë nga ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme Plarent Ndreca dhe ish-Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj. Në audit theksohet se ato janë në kundërshtim me nenin 15 të ligjit nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit’, i ndryshuar.
Shkeljet e rënda
“Konstatohet që veprimet e mësipërme janë të pastudiuara dhe të nxituara, duke sjellë pasoja për Ministrinë e Brendshme, pasi asetet në pronësi të QSHAMT nuk mund të përshtaten në një sipërfaqe 7 herë më të vogël se ajo që MB dispononte dhe aktualisht Drejtoria e Menaxhimit të Mjeteve të Transportit -DMMT (ish-QSHAMT), sot ende nuk ushtron aktivitetin e saj as në pronën e dhënë, me sipërfaqe totale 4,122 m2. Si rrjedhojë, procedura e zbatuar për transferimin e pronës se QASHMT nuk ka plotësuar kërkesat që Ministria e Brendshme i ka përcjellë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me anë të shkresës nr. 3713/1 datë 24.7.2019 ku kërkohej përcaktimi i një prone që plotëson kushtet si park automjetesh dhe që nuk cenon procesin e punës së kësaj strukture. Procedura e tjetërsimit të pronës është kryer jashtë çdo afati kohor të parashikuar në dispozitat ligjore e nënligjore në fuqi, ndonëse nuk ka pasur asnjë emergjencë për inicimin e këtij projekt akti, ku për miratimin e VKM-ve do të duheshin minimalisht 10 ditë kalendarike nga propozimi tek miratimi i projekt-aktit, veprime që nuk janë në përputhje me kërkesat e Ligjit nr.9000, date 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit te Ministrave”, thuhet në raportin e KLSH.
