Këshilli Bashkiak mblidhet në datën 10 qershor, pritet shkarkimi i Erion Veliajt, Tirana drejt zgjedhjeve, ja kush…

Data

Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 10 shkurt nga forcat e BKH-së, detyra e tij ka mbetur bosh për më shumë se tre muaj. Edhe pse nuk ka një vendim zyrtar për largimin e tij, ai nuk ka ushtruar funksionin e kryebashkiakut që nga ajo ditë. Kjo situatë ka krijuar një boshllëk institucional në Bashkinë e Tiranës, duke e bërë të domosdoshëm zgjidhjen ligjore të këtij ngërçi. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, një kryetar bashkie mund të shkarkohet nëse mungon në detyrë për më shumë se tre muaj. Neni përkatës i ligjit thotë: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore”.

Pikërisht këtë hap pritet të ndërmarrë Këshilli Bashkiak i Tiranës, i cili sipas burimeve të gazetës “SOT” pritet të mblidhet më 10 qershor. Mësohet se janë njoftuar të gjithë anëtarët. Kjo mbledhje vjen pas kërkesës së Partisë Demokratike disa javë më parë për të nisur procedurat për shkarkimin e Veliajt. Nëse takimi realizohet dhe vendimi merret, i përcillet Këshillit të Ministrave dhe ky i fundit pritet të japë miratimin për shkarkimin. Nëse Këshilli i Ministrave miraton shkarkimin e Veliajt, atëherë përgjegjësia për caktimin e datës së zgjedhjeve i kalon Presidentit të Republikës. Kodi Zgjedhor e përcakton qartë se Presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve brenda 10 ditësh nga marrja e vendimit për shkarkimin. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve nga ky vendim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related