Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një projektvendim për kompensimin e shoqërive të transportit publik, në përpjekje për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve të karburanteve.
Vendimi, i propozuar nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj, parashikon që operatorët e linjave urbane, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse të përfitojnë 50 lekë për çdo litër karburanti për muajt mars, prill dhe maj 2026.
Kompensimi do të llogaritet mbi bazën e konsumit të kësaj periudhe, por nuk do të kalojë sasinë e përdorur në të njëjtët muaj të vitit 2025 për secilin operator.
Sipas relacionit shoqërues, rritja e çmimeve të naftës dhe gazit, e lidhur me krizën globale energjetike, ka rritur ndjeshëm kostot për sektorin e transportit, i cili mbulon rreth 98% të lëvizjes së përgjithshme në vend.
Në Shqipëri operojnë 439 linja ndërqytetëse nga 242 subjekte të licencuara, ndërsa autobusët përshkojnë rreth 9 milion kilometra në muaj dhe transportojnë afërsisht 50 milion pasagjerë në vit.
Efekti financiar i kësaj mase parashikohet rreth 250 milion lekë dhe do të mbulohet nga fondi rezervë i shtetit, si dhe nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për linjat urbane.
Subjektet përfituese duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës, ndërsa aplikimet për kompensim do të pranohen deri më 1 gusht 2026 dhe do të verifikohen nga administrata tatimore.
Me këtë ndërhyrje, autoritetet synojnë të mbështesin operatorët dhe të shmangin rritjen e çmimeve për qytetarët në një periudhë presioni të lartë ekonomik.
