Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, ka komentuar nga Shkodra kaosin e krijuar në Parlament nga PD gjatë seancës së të hënës (30 Shtator) duke i konsideruar si “valdalizëm” aktet e deputetëve të opozitës të cilët dogjën karriget para derës së Parlamentit.
Në një deklaratë për gazetarët, pas një mbledhje me Asamblenë e Zgjeruar të PS, Klosi deklaroi se kërkesa e opozitës për qeveri teknike nuk ka asnjë shans që të hapet si diskutim, duke shtuar se PD nuk mund të fitojë përballë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Sa i përket votës së emigrantëve në zgjedhjet e 2025, Klosi deklaroi se PS ka ndezur që tani motorët e fushatës elektorale brenda strukturave të veta për të qenë gati për këtë sfidë të re
Cila është arsyeja e këtij takimi me strukturat e PS në Shkodër?
Ka qenë një periudhë pune për Partinë Socialiste në gjithë Shqipërinë, një periudhë që e kemi filluar për “Shqipërinë 2030” ku po fillojmë fushatën elektorale brenda strukturave tona që kur të fillojë fushata elektorale zyrtare e shpallur nga KQZ ne të kemi përgatitur të gjithë PS dhe gjithë territorin për të patur një rezultat shumë të thellë fitues në zgjedhjet e 2025 dhe kjo jo vetëm për të fituar në 2025 por kjo për të garantuar një shtrat shumë më të fortë të kësaj partia për realizimin e vizionit “Shqipëria 2030”, që në terma shumë konkrete është që jo vetëm të jemi pjesë e familjes europiane por të jemi pjesë e një shumë të mire që mund t’i vijë Shqipërisë si pjesë e ktyre investimeve , pjesë e kësaj vendimarrje dhe kësaj politike të përbashkët europiane. Ishim në Shkodër sëbashku me drejtuesin politik Benet Beci për të folur me strukturat e Shkodrës pasi janë takuar të gjitha strukturat e PS të qarkut Shkodër duke përgatitur detyrat tona elektorale, detyrat tona që kanë të bëjnë jo vetëm me implementimin e sistemit tonë ta patronazhimit por edhe me problematikat e reja që vijnë nga votat e emigrantëve dhe me përgatitjen e strukturave në gjithë Shqipërinë për një periudhë parapërgatitore për t’u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme.
Është gati PS për sfidën e re të votës së emigrantëve?
Të mos harrojmë që vota e emigrantëve vjen si plotësim i një premtimi të PS, është shprehje e vullnetit politik të PS përfshirë edhe kodin elektoral të votës së emigrantëve tashmë e dakordësuar nga Parlamenti shqiptar me votë. Është një proces me shumë problematika, jo vetëm me dëshirën që kanë emigrantët për të votuar por edhe me sistemin që do përdoret për votimin e tyre e më pas sigurinë e votës, prandaj PS është një parti e madhe e organizuar, një parti e përgjegjshme në kohë dhe objektivat e saj, ka filluar që tani punën për evidentuar dhe për të nxitur gjithë emigrantët që duan të marrin pjesë në procesin e votimit të fillojë dhe të përgatitet për këtë proces që ka të bëjë me regjistrimin në radhë të parë por edhe me plotësimin e dokumentacioneve të nevojshme për të cilat KQZ duhet të nxjerrë udhëzimet e nevojshme por ajo që dijmë të bëjmë më mirë është organizimi jonë dhe për këtë strukturat e PS do punojnë të për të nxitur emigrantët kudo që ndodhen pasi vota është e barabartë si në qendër të Shkodrës, si në Pukë apo Fushë Arrës por është e njëjta vota si ata që votojnë në Londër apo në Athinë, pra për këtë jemi të gatshëm të punojnë, politika është punë dhe po punojmë për të qenë të përgatitur për këtë votë që është me shumë të panjohura dhe me shumë punë përgatitore.
