Juristja e njohur, Brizida Gjikondi e cilësoi vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit për t’i dhënë Sali Berishës vulën dhe drejtimin e Partisë Demokratike si politik. Gjatë një prononcimi për gazetën juristja Gjikondi u shpreh se klasa politike shqiptare priste që të merrej një vendim i tillë dhe se në këtë mesele nuk ka asgjë për t’u çuditur. Ndërkohë juristja Brizida Gjikondi, duke komentuar vendimin e gjykatës së Apelit për t’i rikthyer PD-në Sali Berishës, tha se Ilir Meta ishte i zymtë. Ajo theksoi se deri më tani Berisha i ka bërë betejat zgjedhore nën siglën e partisë së Metës, nga e cila ka përfituar edhe ai. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e zonjës Gjikondi.
Ja reagimi i plotë për gazetën i juristes së njohur, Brizida Gjikondi
Drejtësia funksionoi sot apo jo
Nuk do të merresha me Berishën për ta sjellë në qendër të vëmendjes por do të merresha me vendimin e gjykatës së Apelit, të cilën do e shikoja si një vendim politik e jo si një vendim ligjor dhe juridik. Sot ka qenë një vendim politik, qoftë dhe për një standard demokracie në Shqipëri, e për pjesën më të madhe të shqiptarëve ky vendim e ka çuditur por klasën politike shqiptare nuk e ka çuditur pasi ka qenë një vendim nga kjo klasë politike, e cila i pëlqen në këtë panoramë të luftës politike në Shqipëri. Ky vendim i sotëm ka të bëj me 90% të faktit të apatisë dhe të mos funksionimit të krahut të Bashës. Krahu i Bashës mund të kishte letrat e mund të kishte procedurat ligjore e statutore në rregull por ai nuk kishte frymën, prezencën e aksionin politik. Edhe sot pas shpalljes së vendimit, pasi Flamur Noka doli dhe tha që tani armiku jonë është Rama, dihet se gjithçka ishte e parapërgatitur pasi ishin me rroba popullore që prisnin në selinë e Berishës për të pritur këtë. E më pas Basha direkte në orën 17:00, iu duk sikur iu kundërpërgjigj Flamur Nokës dhe tha që po, ne do merremi me Edi Ramën. Ne nënkuptuam një harmoni mes të dy krahëve. Edhe Berisha kur doli sot dha deklaratën, tha që tani i bëj thirrje të bashkohemi të gjithë. Është një gjellë e prishur, e prishur, e ngrohur, e ngrohur.
Basha shkon poshtë ballkonit po thua
Jo nuk shkon poshtë ballkonit sepse thash Basha është një kalë i ngordhur që nuk ka këllqe dhe nuk ka fuqi të bëj beteja politike. Berisha prandaj e ka zgjedhur si pasuesin e tij që ta kishte një skllav të bindur. Ai në një farë segmenti nuk iu bind dhe patjetër që Berisha ktheu prap pronën në duar të veta me letra sepse të vetën e ka patur por i mungonin letrat. Tani mori dhe tapinë e hipotekës , pasi bëri ca debate. Dy elementë janë për t’u veçuar sot , fytyra e zymtë e Ilir Metës . E zymtë sepse deri tani Berisha të gjitha betejat zgjedhore i ka bërë nën siglën e Ilir Metës dhe ka përdorur vëzhguesit dhe të gjithë strukturat. Ama me anë të kësaj Meta arriti të merrte gati në të gjithë këshillat bashkiakë të Shqipërisë ku ka këshilltarë të Metës të cilët janë aty me vota të Berishës, sepse Meta kështu e bëri pazarin dhe kështu di të funksionojë. Tani Berisha nuk ka më nevojë për Metën, përkundrazi del e kundërta qe Meta ka nevojë për Berishën. Më 30 qershor Berishës i mbaron mandati gjashtë mujor pa prezencën ne Kuvend. E nisur dhe nga precedenti Arben Ahmetaj, mendohet që i digjet mandati i deputetit dhe ndoshta kjo skemë që ndodhi sot, bëhet dhe me forcat e ndërkombëtarëve , bëhet e para për t’i treguar Shqipërisë një standard demokracie me forcat politike të kahershme dhe e dyta për të nxjerr nga skena Berishën pa dëmtuar partinë. Opozita e vërtetë në Shqipëri nuk është as PD-ja që është e zhytur deri në majë me kusure dhe përdorim nga një familje e caktuar për interesat e saj , të kësaj force politike. Opozita e vërtetë është SPAK-u, është ai i cili mund të tronditë dhe të kullojë jetën politike të shqiptarëve.
