Kalaja kallëzoi 3 gjyqtarët që rihapën 21 janarin/ Reagojnë avokatët: S’ka bazë ligjore, Berisha do të thirret në SPAK

Data

Një show’ e quan avokati Idajet Beqiri kallëzimin penal që Adriana Kalaja, bëri dje në emër të Partisë Demokratike për 3 anëtarët e Gjykatës së Lartë të cilët vendosën që dosja e vrasjes së Aleks Nikës më 21 janar të hetohej nga Prokuroria e Posaçme.

“Samuel Becket do ta kishte zili, në kulmin e absurdit” shkon më tej juristi Arbër Hoxha teksa komenton kallëzimin e kryetares së komisionit të Apelimit të PD-së ndaj 3 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë; Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.

Në një intervistë, avokati Idajet Beqiri i cili ka ndjekur dosjen në Gjykatën e Lartë sqaron saktë se çfarë përmbajtje ka rekursi që u pasua nga vendimi i drejtë i Gjykatës së Lartë për t’i kërkuar SPAK të regjistronte procedimin penal për Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin.

“Nuk mund të bësh kallëzim penal për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që kanë dhënë një vendim të drejtë. Aq më shumë që nuk di ta recitosh atë që të kanë dhënë. Rekursi jonë nuk ishte për kundërshtimin e kompetencës. Rekursi jonë ka qenë me kërkesë të saktë: Regjistro procedimin penal, dhe mu përgjigj ose me vendim mosfillimimi, ose hetoje e pushoje ose çoje në gjyq. Por nuk ke të drejtë një kallëzim penal që unë bëj për subjekte që janë në kompetencë të SPAK dhe me emra konkretë që urdhërdhënësit e vrasjes së 21 janarit është Sali Berisha, Lulzim Basha, Ndrea Prendi dhe organizata kriminale që krijuan për ti bërë këto ekzekutime, SPAK e ka përdetyrë të regjistrojë procedimin penal e të dalë me vendimmarrje. Këtë analizë ka bërë Gjykata e Lartë e cila urdhëroi regjistrimin e procedimit penal se kemi të bëjmë me vendim” thotë Beqiri.

Avokati Arbër Hoxha thotë se fillimi i hetimeve të SPAK ka panikosur Sali Berishën.

“Nuk kemi të bëjmë fare me një kallëzim. Nuk ka bazë ligjore. Nuk mund të kallëzosh penalisht gjyqtarë të gjykatës së Lartë se një vendimmarrje e tyre nuk të pëlqen apo në rastin më të keq të ka panikosur si forcë politike. Në këto kushte SPAK do të gajaset së qeshuri, nga sekretarja tek drejtuesi dhe do të nisë direkt mosfillim. Këto janë cështje të cilat besoj se në ditët e nxehta të gushtit kur nuk ka vëmendje të shtuar mediatike, njerëz të caktuar bëjnë kallëzime të caktuara që formalisht nuk janë kallëzime e ligjërisht jo se jo” thotë ai

Në vazhdim të intervistës, Hoxha argumenton dhe pse kallëzimi i Kalasë është nul.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related