Izraeli ka vijuar operacionet ushtarake kundër Hezbollah në Libani, duke ndërmarrë sulme të njëpasnjëshme ajrore në jug të vendit.
Sipas raportimeve, të paktën gjashtë persona humbën jetën në qytetin Maaroub, në rajonin e Tyre, ndërsa pesë të tjerë u vranë në qytetin Qana si pasojë e goditjeve nga forcat izraelite. Ushtria izraelite deklaroi gjithashtu se gjatë natës ka bombarduar qytetin Tefakhta, ku u raportua për 13 viktima.
Sulmet kanë përfshirë edhe zona të tjera në jug të Libanit, si Kafra, Haris dhe Ratsaf, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe viktima në radhët e civilëve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, që nga fillimi i konfliktit më 2 mars, numri i viktimave ka arritur në mbi 2,020 persona, përfshirë gra, fëmijë dhe personel mjekësor, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur.
Përshkallëzimi i fundit vjen në një moment të ndjeshëm, pasi pritet që përfaqësues nga Libani, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zhvillojnë një takim në Washington, D.C. për të diskutuar mundësinë e një armëpushimi dhe hapjen e negociatave direkte mes palëve.
Situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa luftimet vazhdojnë paralelisht me përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim më të gjerë në rajon.
