Ushtria izraelite ka kryer sot një seri sulmesh ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit, vetëm pak minuta pasi lëshoi paralajmërime evakuimi për banorët në katër qytete të zonës kufitare. Sipas ushtrisë, goditjet kishin në shënjestër baza dhe struktura të konsideruara si “infrastrukturë terroriste” e grupit të armatosur shiit.
Zëdhënësi arabishtfolës i ushtrisë izraelite, koloneli Avichai Andrai, paralajmëroi para sulmeve se forcat izraelite “do të godasin së shpejti objektiva të Hezbollahut në të gjithë Libanin jugor”, duke akuzuar grupin për përpjekje që të riaktivizojë rrjetet e tij të armatosura në rajon, në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.
Sulmet pasojnë një takim të paprecedentë libano-izraelit
Goditjet vijnë vetëm një ditë pas një takimi historik midis zyrtarëve politikë izraelitë dhe libanezë, të mbajtur nën autoritetin e organit monitorues të armëpushimit që hyri në fuqi një vit më parë. Sipas mediave ndërkombëtare, ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes dy vendeve në mbi 40 vjet, edhe pse Izraeli dhe Libani mbeten teknikisht në gjendje lufte.
Takimi u zhvillua në një moment të ndjeshëm, pasi Izraeli ka paralajmëruar vazhdimisht përshkallëzim në Liban dhe ka shtuar intensitetin e sulmeve kundër Hezbollahut gjatë ditëve të fundit.
Tensionet në rritje: Izraeli akuzon Hezbollahun për riarmatime
Sipas raportimeve të “Reuters”, ushtria izraelite ka shumëfishuar goditjet në jug të Libanit gjatë javës së fundit, duke synuar pozicione të Hezbollahut që dyshohet se po përdoren për riarmatime dhe përgatitje ushtarake — veprime që Izraeli i cilëson si shkelje të armëpushimit të 27 nëntorit 2024.
Ndërkohë, në Liban rritet frika e një rikthimi në konflikt të hapur, pasi komunitetet jugore vazhdojnë të përballen me pasiguri, evakuime dhe bombardime të shpeshta.
