Terroristi, i dyshuari kryesor për sulmin në Banjskë Milan Radoiçiç, është takuar me Marko Gjuriç, ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një fotografi e takimit mes tyre u bë virale në rrjet, ku shpërthyen edhe shumë komente.
Lidhur me këtë ka folur vetë Gjuriç.
Ai tha se nuk e ka ndërmend t’i kërkoj falje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ambasadori i Serbisë në ShBA shtoi se nuk ndihet i turpëruar dhe se nuk i ka fshehur asnjëherë takimet publike.
Sipas tij, ka nisur “një fushatë negative kundër tij dhe Serbisë”.
“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse do të ishte shumë e zbehtë ajo. Nuk e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit e Sveçlës, e njerëzve tjerë keqdashës për asgjë. Nuk i kam fshehur dhe as nuk jam turpëruar asnjëherë për kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe më pëlqen të takohem edhe sot e kësaj dite, unë jam takuar shumë herë, në kuadër të punës sime, edhe me udhëheqës të shumtë shqiptarë, të cilët janë akuzuar nga drejtësia vendase dhe ndërkombëtare për krime të papërshkrueshme lufte ndaj popullit tim. Kjo ka qenë gjithmonë pakrahasueshëm e vështirë për mua personalisht. Si dhe takimet që kam pasur me etnonacionalistët Kurti e Sveçla, që brutalisht u shkelin të drejtat elementare serbëve në Kosovë dhe M. dhe kanë gjak të pafajshëm në duart e tyre”, ka shkruar Gjuriç në platformën “X”.
