Investigimi/ Paratë e incineratorëve garantojnë jetën në arrati të Arben Ahmetajt në Zvicër

Data

Emigranti Ilir Dedja u bë i njohur në Shqipëri për shkak të kontratave prej qindra mijëra eurosh me kompanitë e incineratorëve dhe një skandali në Zimbabve. Një hetim i Prokurorisë së Posaçme zbulon se ai njihet me Ahmetajn që prej viteve të shkollës dhe dyshohet se po financon jetesën e partneres së tij në Lugano të Zvicrës.

Në korrik të vitit 2018, Stela Gugallja dhe Ilir Dedja u paraqitën në një zyrë noterie në zonën e ish-Bllokut në qendër të Tiranës për të nënshkruar një kontratë me vlerë 500 mijë euro për shitjen e aksioneve të kompanisë C.G.C –një kompani me humbje, pa aktivitet dhe zero asete në bilancin e vet.

Gugallja njihej asokohe si pronarja e koncesionit të incineratorit të Elbasanit, njërit prej tre kontratave famëkeqe të qeverisë “Rama” që parashikohej t’u kushtonin qindra milionë euro taksapaguesve shqiptarë. Ndërsa Dedja ishte një ndër emigrantët e shumtë të panjohur shqiptarë, që sapo ishte zhvendosur nga Italia drejt Zvicrës.

Planet e Dedjes në kohën që bleu kompaninë C.G.C nuk janë krejtësisht të njohura, por Prokuroria e Posaçme beson përmes një hetimi të saj se kontrata e blerjes së aksioneve nga Gugallja ishte fiktive.

Ndryshe ndodhi një vit më pas, kur Dedja i ktheu aksionet mbrapsht në këmbim të 600 mijë eurove, të cilat u dërguan përmes katër transfertave bankare në llogarinë e tij në Zvicër.

Kjo nuk ishte marrëveshja e vetme e biznesit mes Dedjes, 55 vjeç dhe administratorëve të aferës së incineratorëve, që mundësoi transferimin e qindra mijëra eurove të taksapaguesve shqiptarë drejt juridiksionit offshore të Zvicrës.

Në vitin 2021, katër transferta të tjera me vlerë rreth 500 mijë euro u transferuan nga kompania Integrated Energy BV SPV e incineratorit të Tiranës drejt kompanisë 3DDD Swiss Trading SA me seli në Lugano, gjithashtu e kontrolluar nga Dedja.

Transfertat bankare drejt parajsave fiskale përmes përdorimit të kontratave fiktive janë një ndër format klasike të pastrimit të parave në botë dhe në Shqipëri.

Megjithatë, hetuesit shqiptarë patën një arsye shtesë për gjumimin e parave që rrodhën nga nga kompanitë e incineratorëve drejt Zvicrës, pasi dyshohet se ato po financojnë jetën në arrati të ish. nr.2 të qeverisë shqiptare, Arben Ahmetaj dhe partneres së tij.

Ahmetaj ishte një ndër figurat kyçe të kabinetit të kryeministrit Edi Rama përgjatë një dekade, derisa Prokuroria e Posaçme kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij në korrik të vitit të kaluar nën akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Ahmetaj iu shmang drejtësisë dhe pasi u arratis nga vendi, aplikoi për azil në Zvicër në shtator të vitit 2023.

Ndërsa lidhjet e ish.zv.kryeministrit me biznesmenët famëkeqë të incineratorëve ishin të njohura që në fazën paraprake, hetimet e reja të SPAK dhe shkëmbimi i informacionit me autoritetet zvicerane kanë zbuluar lidhje të reja të tij me emigrantin shqiptar, Ilir Dedja.

Sipas SPAK, Dedja është personi që garanton strehimin e partneres së Ahmetajt në qytetin piktoresk të Luganos në Zvicër.

Ahmetaj i mohon akuzat dhe e quan veten “një kokë turku” të kryeministrit Rama për çështjen e incineratorëve. Dedja ishte i paarritshëm për koment nga BIRN.

‘Konsulenti i biznesit’

Pallati në rrugën Boschina në lagjen Pregassona të Luganos, ku sipas autoriteteve zvicerane jeton partnerja e tij, Erjola Hoxha.
Pallati në rrugën Boschina në lagjen Pregassona të Luganos, ku sipas autoriteteve zvicerane jeton partnerja e tij, Erjola Hoxha.

Sipas një dokumenti për “njoftim akuze” të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, njohja mes Ahmetajt dhe Ilir Dedjes besohet se shkon pas në fund të viteve ’80, kur të dy ishin studentë në fakultetin “Histori – Filologji” në Tiranë.

Nga këqyrja e regjistrave në Degën e Gjuhëve të Huaja ka rezultuar se Ahmetaj është regjistruar në degën “Anglisht” në vitin 1987 dhe i ka përfunduar studimet në vitin 1991. Dedja me origjinë nga fshati Seferaj i Kavajës është regjistruar një vit më vonë, por rezultoi përsëritës dhe nuk i përfundoi studimet pas vitit 1991.

Në Shqipërinë post-komuniste, Ahmetaj bëri karrierë fillimisht si këshilltar në Ministrinë e Financave dhe më pas si njeri në biznes, derisa ish-kryeministri Fatos Nano e katapultoi në politikë si drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe zv.ministër. Pas rikthimit të socialistëve në pushtet në vitin 2013, Ahmetaj kontrolloi disa prej portofoleve më të rëndësishme të kabinetit “Rama”, derisa hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme për lidhjet e tij me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton e rrëzuan atë nga pushteti në korrik të vitit 2022.

Në anën tjetër të Adriatikut, Dedja jetoi për dy dekada si tregtar në Itali, derisa u transferua në Lugano të Zvicrës si “një konsulent biznesi” në mars të vitit 2017 – një destinacion i preferuar botëror për kompanitë guackë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related