Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndau sot gjatë një aktiviteti me Shoqërinë Civile, disa nga nismat e saj të veçanta që ndërmori gjatë mandatit si ministre në vitin 2013.
Gjatë fjalës së saj, Kodheli përmendi angazhimin e saj për të krijuar një kopsht për fëmijët autikë të ushtarakëve shqiptarë dhe për mbështetjen ndaj kampiones Luiza Gega.
“Që në javën e parë të punës si ministre e Mbrojtjes, vendosa të krijoj një kopsht për fëmijët autikë të ushtarakëve nga e gjithë Shqipëria. Ishte një vendim që erdhi nga zemra, duke ditur sfidat dhe kostot e jashtëzakonshme për mbajtjen e fëmijëve me aftësi ndryshe,” tha Kodheli, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes konkrete për fëmijët me aftësi ndryshe.
Ajo vuri në dukje gjithashtu mbështetjen për kampionen Luiza Gega, për të cilën tha se ka ndërtuar një pistë vrapimi 400 metra.
“Pa propozimin e askujt, mora vendimin për të ndërtuar një pistë ku Luiza Gega mund të stërvitej. E kam bërë këtë, sepse besoja në potencialin e saj dhe rezultatet që ka arritur sot janë dëshmi e këtij vendimi,” tha Kodheli.
Kodheli theksoi se shpesh “gjërat kërkojnë më shumë zemër dhe vullnet sesa strategji”, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje me “mendje të hapur dhe zemërgjerë ndaj sfidave sociale”.
