Drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Statistikave (INSTAT), Elsa Dhuli bëri të ditur dje se brenda këtij viti do të hartohet projektligji për realizimin e Censit të Bujqësisë. Gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat mbi planin vjetor 2025 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026, Dhuli informoi se po rishikohet strategjia për organizimin e këtij plani, si dhe buxheti. “Në kuadër të përgatitjeve për Censin e Bujqësisë, jemi në proces të miratimit të projektligjit. Po rishikohet strategjia e organizimit të këtij Censi, planit të aktiviteteve dhe buxhetit”, u shpreh Dhuli.
Njëkohësisht ajo informoi se po finalizohet edhe pyetësori në konsultim të vazhdueshëm me asistencën teknike. “Po finalizohet korniza metodologjike në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural, duke marrë në konsideratë jo vetëm burimet administrative, por edhe rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave të realizuar në 2023. Ngritja e sistemit të teknologjisë së informacionit për mbledhjen, monitorimin dhe analizën e të dhënave, në bashkëpunim me Komisionin Europian, FAO apo Institutin”, u shpreh Dhuli.
Censi i Bujqësisë do të sigurojë informacione mbi module të veçanta, në të gjitha fermat bujqësore që kanë të bëjnë me: ujitjen, praktikat e menaxhimit të tokës, makineritë dhe pajisjet, pemëtarinë si dhe të dhëna për strukturën e bujqësisë, veçanërisht për njësitë e vogla administrative. Ndërkohë drejtoresha Dhuli bëri të ditur se po punohet për përmirësimin e raporteve statistikore, për t’i bërë ato më të shkëmbyeshme me Eurostat-in.
