Forca të shumta të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policisë Bashkiake rrethuan ditën e sotme (3 nëntor) një kantier ndërtimi me objekte 2-3 katëshe, që rezultonte në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit në zonën e Farkës.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 7 vila që po ndërtohen nga Vladimir Kosta, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e IMT-së, Dallëndyshe Bici, e ndoqën nga afër show-n e IMT-së si për të treguar se po punojnë kundër paligjshmërive! A thua se po të ishte në interesin e tyre do të ndërhynin…!
Blendi Sula deklaron se subjekti në fjalë kishte tejkaluar totalisht lejen zhvillimore.
Duke harruar se shpeshherë, kur është edhe në interes të xhepit të tyre bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, Sula u bëri thirrje ndërtuesve dhe investitorëve të respektojnë rregullat urbanistike dhe ligjin, duke i paralajmëruar për pasojat që sjell ndërtimi pa leje.
“Bashkia Tiranë është e vendosur në mbrojtjen e territorit. Sot ishim në zonën e Farkës, ku një subjekt ka tejkaluar totalisht lejen e ndërtimit. Bashkia Tiranë ka evidentuar një listë me subjektet që në këtë zonë kanë shkelur ligjin dhe nuk i janë përmbajtur lejes së ndërtimit. Sinqerisht ju bëj thirrje ndërtuesve dhe investitorëve: zbatoni ligjin dhe respektoni rregullat urbanistike. Mos investoni duke ndërtuar pa leje, sepse jo vetëm do humbni paratë, por do përfundoni në burg. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama janë të vendosur në mbrojtjen e territorit dhe në luftën kundër ndërtimeve pa leje”, deklaroi Sula.
