Kryebashkiaku i Vau i Dejës, Kristian Shkreli, është paraqitur këtë të martë në GJKKO për seancën e radhës gjyqësore lidhur me dosjen ndaj tij për korrupsion zgjedhor.
Shkreli është marrë i pandehur nga SPAK, pasi dyshohet se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ka blerë vota në favor të Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ai ka qenë aktiv në fushatën elektorale duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për investime në rrjetin e energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës zgjedhore.
SPAK pretendon se kryebashkiaku u ka premtuar dhe ofruar përfitime materiale banorëve në këmbim të votës për PSD-në.
Në njoftimin zyrtar të organit të akuzës thuhet se Shkreli u ka kërkuar banorëve të zonës të votonin subjektin politik që ai mbështeste, ndërsa investimet në infrastrukturë janë përdorur si mjet ndikimi gjatë fushatës.
Dosja ndaj Kristian Shkrelit u dërgua për gjykim në fund të tetorit 2025, ndërsa ai akuzohet për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
