Komuniteti grek në Shqipër, OMONIA ka reaguar lidhur me dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Reagimin e tyre nis me një poezi të Martin Miemoeller.
Më poshtë ata shprehen se me vendimin e GJKKO-së ndaj Belerit sistemi i dhënies së drejtësisë në Shqipëri është dy herë i ekspozuar.
Më tej shkruhet se i gjithë procesi gjyqësor ndaj Belerit ishte i orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu denoncojnë dënimin sipas tyre pabazë të Belerit dhe bashkëpunëtorit të tij, ku shprehen se është në dispropocionalitet me shkeljen e supozuar.
REAGIMI I PLOTË:
“Në fillim ata (Nazistët) ju sulën komunistëve,
dhe unë heshta sepse nuk isha komunist.
Kur ata burgosën socialdemokratët unë heshta
sepse nuk isha socialdemokrat .
Pastaj ata ju sulën sindikalistëve dhe unë heshta
sepse nuk isha sindikalist.
Në vijim ju turrën Hebrenjve dhe unë prapë heshta
sepse nuk isha Hebre.
Dhe më erdhi rradha mua,
por s’kishte mbetur më askush të fliste për mua”
Martin Miemoeller (1892-1984)
Me vendimin e djeshëm penalizues të Gjykatës Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar (GJKKO), ndaj Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë z. Fredi Beleri, sistemi i dhënies së drejtësisë në Shqipëri është dy herë i ekspozuar. Konfirmoi mungesën e pavarësisë së tij nga njëra anë dhe nga ana tjetër sjelljen e tij me paragjykime dhe standart të dyfishtë.
E gjithë e ashtuquajtur çështje nga fillimi i saj deri në shpalljen e vendimit të djeshëm, është një sajesë dhe mashtrim gjyqësor që i shërben synimit të orkestruesit të saj, Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama, i cili duke shkelur dhunshëm vullnetin sovran të komunitetit lokal të Himarës synon më tej vijimin e praktikave grabitqare në zonë.
Persekutimi ndaj Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë dhe bashkëpunëtorit të tij nuk lidhet vetëm me privimin e të drejtave civile dhe politike. Ka ndikime korelative dhe pasoja në shumë aspekte të tjera dhe duket se pikërisht kjo është objektivi i orkestruesit të gjithë kësaj sajese qesharake. Represioni i shoqërisë dhe nënshtrimi i Minoritetit autokton Etnik Grek.
Njëherësh dhe për më tepër gjatë gjithë këtyre muajve dhe me intensitet të shtuar ditëve të fundit vërejmë rritjen e difuzimit të një propagande antihelene që rëndon në nivele absolutisht shqetësuese, pozitën e MEG.
Duke denoncuar dënimin pabazë të Kryetarit të Bashkisë Himarë z. Fredi Beleri dhe bashkëpunëtorit të tij, me një vendim gjyqësor që përmban në vetvete elementët e dispropocianalitetit me shkeljen e supozuar, tërheqim edhe një herë tjetër vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për regjimin e represionit që ushtrohet ndaj nesh.
Maska legjitimuese i persekutimit përmes procedurash gjyqësore përbën justifikim pretekstual që nuk duhet të ndikoj përballimin e regjimit autokrat unikal që mbizotëron në gjithë spektrin e jetës publike dhe politike në vend.
