Në Shkodër u zhvillua ceremonia përkujtimore e 35-vjetorit të ngjarjes së 2 prillit 1991, ku humbën jetën katër qytetarë gjatë protestave kundër regjimit komunist.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili nderoi viktimat dhe i cilësoi ato si “martirë të demokracisë” dhe të votës së lirë.
Berisha përmendi emrat e katër të vrarëve – Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besnik Ceka – duke theksuar se ata sakrifikuan jetën për lirinë dhe pluralizmin politik në Shqipëri.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te ngjarjet e asaj kohe, duke i cilësuar protestat si reagim ndaj asaj që e quajti “farsë elektorale” dhe duke akuzuar regjimin komunist për përdorim të dhunës ndaj protestuesve paqësorë.
Kreu i PD-së nuk kurseu as kritikat ndaj qeverisë aktuale, duke sulmuar drejtpërdrejt Edi Rama. Ai e cilësoi atë si “pasardhës të bllokmenëve hoxhistë” dhe e akuzoi për përdorim të pushtetit për përfitime.
Sipas Berishës, sakrifica e 2 Prillit mbetet aktuale edhe sot, duke e lidhur atë me nevojën për rikthimin e votës së lirë dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Ceremonia u zhvillua në Memorialin e “2 Prillit 1991”, ku përfaqësues të Partisë Demokratike dhe qytetarë vendosën lule dhe bënë homazhe në nder të viktimave të asaj dite.
