Prokuroria e Posaçme (SPAK) po iu kall datën jo vetëm politikës, por edhe drejtësisë. Teksa Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka bërë dje bilancin e punës njëvjeçare të institucionit që drejton, në vëmendjen e publikut dhe që Holta Zaçaj u kujdes të kishte hapësirë në media ishte kërkesa e saj drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani, për të ditur nëse ndonjë anëtar i Gjykatës Kushtetuese është përgjuar nga Prokuroria e Posaçme. Holta Zaçaj ka përmendur “fjalë që thuhen për përgjime ndaj anëtarëve të GJK” dhe, nisur nga këto fjalë, kryetarja e institucionit më të lartë të drejtësisë në vend i dërgon kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme për t’i thënë nëse ka kryer përgjime apo jo.
SPAK mund të përgjojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nëse ka një vendim gjyqësor dhe nëse ka dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tyre në veprimtari të paligjshme, si korrupsioni apo shpërdorimi i detyrës. Gjyqtarët kushtetues janë subjekte hetimorë të SPAK, bazuar në nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale. Hetimi, përfshirë edhe vendosja nën përgjim e tyre, nuk ka nevojë për autorizim të posaçëm, por kryhet nga Prokuroria e Posaçme kur kanë indicie dhe prova për përfshirjen e tyre në vepra penale. Kushtetuta, në nenin 126 të saj, parashikon se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim”. Gjyqtarët e GJK nuk bëjnë përjashtim dhe nuk konsiderohen mbi ligjin penal. Por çfarë po i tremb anëtarët e Gjykatës Kushtetuese? A po përgatitet nga Altin Dumani një dosje që mund të shkaktojë “tërmet” në Gjykatën Kushtetuese?
