Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës “mbetet rrugëve”, ndërsa fondet shtohen pa garë

Data

Punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë tejkaluar afatin, ndërsa shteti shqiptar ka marrë një tjetër kredi për punime shtesë. Kjo ka çuar në rritjen e kostos: nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A., tashmë kostoja ka arritur në 91.7 milionë, thuajse aq sa kërkuan dy kompanitë e tjera që u skualifikuan. Tenderat miliona eurosh për fonde shtesë janë zhvilluar pa garë, me justifikimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së punës. Një pjesë e punimeve kryhen nga kompania shqiptare “Prima Energy”, pa eksperiencë të mëparshme në këtë sektor

Më 16 tetor 2024, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi mbërritjen në Shqipëri të një makinerie moderne të quajtur Tamping ose, thënë ndryshe, makina “rrahëse”. Sipas saj, kjo makinë do t’u jepte hov punimeve për rikonstruksionin dhe ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.

Ky njoftim për punimet e hekurudhës është i disati i bërë nga ana e ministres Balluku prej 3 shkurtit 2021, kur ajo, së bashku me përfaqësues të Delegacionit Europian në Tiranë; të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH); përfaqësues të iniciativës Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), si dhe ambasadorin italian Fabrizio Bucci, ishte e pranishme gjatë nënshkrimit të kontratës mes Hekurudhës Shqiptare dhe kompanisë italiane “INC S.P.A., që u shpall fituese e tenderit të këtij projekti që shpresohet të rijetëzojë segmentin kyç të rrjetit hekurudhor shqiptar.

Asokohe, Balluku deklaroi se hekurudha do të përfundonte për 30 muaj, në verën e vitit 2023, duke kursyer për çdo vit 55 milionë euro krahasuar me përdorimin e automjeteve. Por ndërkohë që po lëmë pas 2024-n, buxheti për këtë projekt është rritur ndjeshëm nga ai i përcaktuar në kontratën fillestare, ndërsa punimet kanë “mbetur rrugëve”.

Ky projekt u financua nga Bashkimi Europian (BE) me vlerën e 35.5 milionë eurove. “… do të kursejë kohë të çmuar për udhëtarët dhe studentët dhe do të nxisë rritjen e bizneseve në dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë”, – shkroi në rrjetet sociale zyra e Bashkimit Europian në Tiranë në datë 28 shtator 2020.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related