Hapja e grup-kapitullit të parë me BE-në, kryenegociatorja Dhuka: Ja kur pritet Konferenca e Tretë Ndërqeveritare

Data

Kryenegociatorja për negociatat me Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, e ka cilësuar çeljen e negociatave për grupin e parë të kapitujve si një moment historik për Shqipërinë. Gjatë një interviste televizive, ajo theksoi se data 15 tetor shënon një pikë kthese në rrugëtimin e vendit për t’u bërë pjesë e familjes europiane, duke theksuar se tani rruga drejt anëtarësimit është më e hapur se kurrë më parë.

Dhuka shpjegoi se thirrja për Konferencën Ndërqeveritare erdhi si rezultat i përmbushjes me sukses të kushteve të nevojshme për hapjen e këtij grupi kapitujsh, i cili përqendrohet në të drejtat themelore, një nga aspektet kyçe për çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së.

“Ekipi kombëtar i negociatave drejton punën e grupeve ndërinstitucionale të punës. I falënderoj publikisht për punën e vyer, energjinë e jashtëzakonshme dhe ndjenjën e atdhetarisë me të cilën kanë kryer të gjitha përgatitjet për çeljen e negociatave,” u shpreh ajo.

Kryenegociatorja njoftoi se brenda vitit 2025 pritet të mbahet Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila do të shënojë një tjetër avancim në procesin e integrimit. “Shqipëria aspiron të ketë një konferencë tjetër Ndërqeveritare, për të vazhduar me çeljen e kapitujve të tjerë e me radhë përgjatë vitit 2025 e më tej,” tha Dhuka, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë në procesin e negociatave.

Një aspekt i rëndësishëm që Dhuka theksoi ishte se nisja e negociatave për anëtarësim në BE do të sjellë me vete transformime të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale për Shqipërinë. Në këtë kuadër, qeveria ka përgatitur një plan reformash që shtrihet deri në vitin 2027, duke përfshirë një axhendë kombëtare reformash 2024-2027. “Parashikohen një numër reformash të rëndësishme, transformuese të cilat do të forcojnë sidomos ekonominë dhe rritjen, por njëkohësisht do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset,” theksoi ajo.

Në lidhje me ndikimin e këtij procesi në jetën e qytetarëve, Kryenegociatorja Dhuka njoftoi se Shqipëria pritet t’i bashkohet shumë shpejt zonës së përbashkët për pagesat në euro. “Po presim rezultatet e shqyrtimit të aplikimit që ka bërë Shqipëria. Pritshmëritë janë që kjo të ndodhë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm,” bëri me dije Dhuka, duke theksuar rëndësinë e integrimit financiar në kontekstin e zgjerimit të mundësive për qytetarët.

Data 15 tetor 2024, shënoi një moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi përfaqësoi hapin e parë të rëndësishëm në çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related