Rruga nacionale Burrel–Skuraj vijon të mbetet një nga akset më problematike në veri të vendit, duke u shndërruar çdo ditë e më shumë në rrezik real për qarkullimin e automjeteve. Ky segment, që lidh Qarkun e Dibrës me zonën veriperëndimore të Shqipërisë, është jetik jo vetëm për banorët lokalë, por edhe për transportin ndërqytetas.
Gjatë orëve të para të së dielës, veçanërisht në zonën e Shkopetit, janë shënuar rënie të shumta gurësh dhe balte në rrugë, si pasojë e reshjeve dhe terrenit të paqëndrueshëm. Këto rënie kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe kanë rritur rrezikun për aksidente, sidomos për mjetet e vogla.
Situata përkeqësohet edhe më tej nga prania e dendur e mjegullës në disa segmente të aksit, e cila kufizon dukshëm fushëpamjen e drejtuesve të automjeteve. Në kushte të tilla, kombinimi i mjegullës, baltës dhe gurëve në rrugë e bën qarkullimin jashtëzakonisht të rrezikshëm, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.
Një problem i përhershëm mbeten edhe gropat e shumta, deformimet e trasesë dhe amortizimi i asfaltit, që janë përkeqësuar ndër vite. Pavarësisht se aksi Burrel–Skuraj është pjesë e kontratës B të rrugëve Qendër–Verilindje dhe mirëmbahet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, gjendja e tij vazhdon të jetë kritike.
Banorët dhe drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar, duke theksuar se, ndonëse çdo vit lëvrohen qindra milionë lekë për mirëmbajtje, përmirësimet në terren janë minimale ose të papërfillshme. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të qëndrueshme, për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur aksidente të mundshme në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
