Katër persona u arrestuan nga policia e kryeqytetit, pasi goditën punonjësit e Policisë Rrugore dhe i dëmtuan makinën teksa ishin në krye të detyrës.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Agim Shahu, Albert Xhorxha, Besart Xhaferri dhe Blendi Xhoxha, të cilët akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik“, “Kanosja për shkak të detyrës“, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës“ e kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
“Shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor gjatë patrullimit në sektor, në rrugën “Mikel Maruli”, kanë konstatuar një automjet, në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, (drejtuesi i automjetit vijoi lëvizjen me automjet edhe pse semafori kishte ndezur dritën e ndalim qarkullimit).
Punonjësit e Policisë Rrugore kanë ndjekur automjetin të cilin drejtuesi porsa ka parë Policinë e ka parkuar dhe vetë ka vijuar lëvizjen në këmbë, por është ndaluar nga shërbimet e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme administrative për shkeljen e konstatuar.
Gjatë komunikimit të shkeljes së konstatuar, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Sh., së bashku me 3 shtetas të tjerë, kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr.6, për të penguar shoqërimin e tyre në Komisariat.
