Gjykata e Posaçme ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen e “Mikrokredive”, duke i lënë Prokurorisë së Posaçme një afat 5-mujor për ta plotësuar para se çështja të kalojë për gjykim.
Bëhet fjalë për 27 të pandehur të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve, 16 persona dhe 4 kompani dyshohet se kanë zhvatur rreth 36.8 milionë euro dhe 1700 prona nga rreth 17 mijë qytetarë gjatë një periudhe 9-vjeçare.
Prokuroria pretendon se skema funksiononte duke shumëfishuar detyrimet përtej vlerës reale, duke shtuar tarifa përmbarimore dhe interesa shumë të larta, deri në 2% në ditë. Në disa raste, përmes ristrukturimeve, borxhet kalonin edhe te familjarët e debitorëve.
Sipas SPAK, janë përdorur metoda si shtrëngimi, përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale dhe paraqitja e fakteve të pavërteta për të detyruar qytetarë në vështirësi ekonomike të paguanin shuma të fryra.
Tani organi i akuzës ka 5 muaj kohë për të plotësuar hetimet para se dosja të rikthehet në gjykatë.
