GJKKO ka vendosur të kthejë për plotësim hetimesh dosjen ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, për të cilin SPAK kishte kërkuar pushimin e çështjes.
Gjykata i ka lënë Prokurorisë së Posaçme një afat prej 45 ditësh për kryerjen e veprimeve shtesë hetimore, ku përfshihet edhe realizimi i një akt-ekspertimi lidhur me procedurën objekt hetimi.
Jonaid Myzyri ishte marrë i pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, ndërsa pas afro një viti hetimesh, prokurori i çështjes kishte argumentuar se nga verifikimet e kryera nuk rezultonin elementë penalë që të provonin konsumimin e veprës.
Në këtë procedim penal janë përfshirë edhe anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik, Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
Hetimi lidhet me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro, të zhvilluar në vitin 2020 për mirëmbajtjen e disa segmenteve rrugore në zonën Rrëshen–Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, me gjatësi totale rreth 59 kilometra.
