Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në drejtësinë shqiptare, pasi GJKKO ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave, duke i hapur rrugë shqyrtimit të çështjes në themel.
Dosja është referuar nga SPAK, i cili kishte përfunduar hetimet që në gusht të vitit 2025. Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, kishte kërkuar që çështja të kalonte për gjykim, kërkesë që tashmë është pranuar nga gjykata.
Sipas akuzës, Ilir Meta përballet me pretendime që lidhen me marrëveshjen CEZ-DIA, çështje lobimi dhe shpenzime familjare, ndërsa Monika Kryemadhi akuzohet për disa raste korrupsioni dhe pastrim parash.
Në këtë dosje janë përfshirë edhe persona të tjerë, mes tyre Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv, si dhe Ema Çokun dhe Fatime Kryemadhi, të cilët përballen me akuza për pastrim parash.
Sipas hetimeve, Xhixho dyshohet se ka përdorur pozicionin e tij si drejtues i AKEP për të ndikuar në vendimmarrje në favor të interesave të caktuara, në bashkëpunim me Metën dhe Kryemadhin.
Hetimi për këtë çështje ka nisur që në vitin 2019, pas kallëzimeve të para të depozituara në SPAK, dhe konsiderohet një nga dosjet më të rëndësishme që përfshin figura të larta politike në vend.
Tashmë pritet që procesi gjyqësor të zbardhë në detaje akuzat dhe provat e paraqitura nga prokuroria.
