GJKKO dënon Pëllumb Gjokën me 6 vite burg në dosjen “Metamorfoza”, shpallet fajtor për korrupsion dhe grup kriminal

Data

Pëllumb Gjoka është dënuar me 6 vite burg nga GJKKO, në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”, duke shënuar dënimin e parë penal ndaj biznesmenit në këtë procedim.

Sipas vendimit të shpallur nga gjykata, Gjoka u gjet fajtor për veprat penale të “sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes” ndaj shtetasve Kleanthi Musabelliu, Dorjan Duli dhe Ibrahim Lici, si dhe për “korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Fillimisht, gjykata caktoi një dënim prej 9 vitesh burgim, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, masa u ul me një të tretën, duke u konvertuar në 6 vite burg, të cilat do të vuahen në një institucion të sigurisë së lartë.

Nga ana tjetër, Gjoka u shpall i pafajshëm për akuzën e “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, akuza që lidhet me vrasjen e Gjin Ndoji, ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, do të shqyrtohet në një proces të veçantë gjyqësor.

Në të njëjtën dosje, gjykata shpalli fajtor edhe ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit Ardit Hasanbegaj. Ai u dënua fillimisht me 7 vite e 6 muaj burg për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve të Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u reduktua në 5 vite burg.

Gjithashtu, gjykata vendosi si masë plotësuese heqjen e të drejtës së Hasanbegajt për të ushtruar funksione publike.

Sipas SPAK, ndaj Pëllumb Gjokës vijojnë të qëndrojnë edhe akuza të tjera të rënda, përfshirë vrasjen me paramendim të Gjin Ndojit dhe episode të tjera të dyshuara kriminale. Megjithatë, vendimi i shpallur aktualisht lidhet vetëm me një pjesë të akuzave, ndërsa procedimet e tjera vazhdojnë në gjykim të veçantë.

Dosja “Metamorfoza” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit kundër krimit të organizuar, pasi përfshin një rrjet të dyshuar bashkëpunimi mes eksponentëve kriminalë, zyrtarëve publikë dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related