Gazeta prestigjioze britanike “The Times” ka publikuar një letër drejtuar editorit, ku një grup deputetësh dhe përfaqësuesish politikë nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë me nënshkrimin e Lulzim Bashës (si Raporter i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për rindërtimin e Ukrainës), bëjnë thirrje që asetet shtetërore të ngrira të Rusisë t’i kalohen Ukrainës. Kjo nismë synon të mbulojë kostot e agresionit rus, të sigurojë Europën dhe të vendosë një standard të qartë llogaridhënieje në çështjet e agresionit ushtarak.
Autorët e letrës vënë në dukje se angazhimi me hua dhe ndihma emergjente mbetet një barrë për taksapaguesit perëndimorë, ndërsa vetëm përdorimi direkt i aseteve ruse do të garantonte që Rusia paguan për krimet e saj, duke parandaluar në të njëjtën kohë konflikte të ngjashme në të ardhmen.
Shkrimi i botuar
Letër: Jepini Ukrainës asetet e ngrira të Rusisë
Zotëri,
G7 duhet t’i transferojë Ukrainës të gjitha 300 miliardë dollarët e aseteve të ngrira të shtetit rus, për të frenuar agresionin e Rusisë, për të siguruar Europën dhe për të vendosur llogaridhënie. Huatë e mëparshme dhe financimet emergjente nuk mjaftojnë — ato mbeten barrë për taksapaguesit perëndimorë. Vetëm duke përdorur vetë asetet, do të sigurohet që Rusia të paguajë për krimet e saj. Kjo do të parandalojë konflikte të ardhshme duke dërguar një mesazh të qartë: agresorët duhet dhe do të paguajnë.
Të paktën 25 miliardë paund në rezerva të ngrira të bankës qendrore ruse mbahen në llogari në Britaninë e Madhe, shuma më e lartë e njohur jashtë BE-së. Një veprim vendimtar nga një shtet me peshë financiare dhe ligjore, si Britania, do të inkurajonte edhe vendet e tjera të ndjekin të njëjtin shembull. Ajo është në një pozicion të mirë për të udhëhequr këtë nismë. Ekonomia e luftës e Rusisë po shtrihet deri në limit. Marrja e aseteve të huaja të agresorit, pra, është vendimtare nga ana strategjike. Është e ligjshme. Nuk do të dëmtojë stabilitetin financiar. Pasditen e sotme, Dhoma e Komunave do të diskutojë një mocion që i kërkon qeverisë të shqyrtojë këtë hap. Ne, parlamentarët nga Mbretëria e Bashkuar dhe vende aleate, e nxisim qeverinë ta mbështesë.
