Kryeministri britanik Keir Starmer po kritikohet pasi mediat kanë publikuar të dhëna se ka pranuar donacione me vlerë mbi 100,000 paund që nga fundi i 2019-ës, më shumë se çdo anëtar tjetër i parlamentit.
Donacionet përfshijnë fustane të stilistëve më të njohur për bashkëshorten e tij, bileta për ndeshje futbolli dhe një koncert të Taylor Swift.
Shumica e këtyre donacioneve, të cilat janë të ligjshme dhe të regjistruara në regjistrat parlamentar, u bënë kur Keir Starmer ishte lideri i Partisë Laburiste në opozitë. Por ai vazhdoi të përfitonte prej tyre pasi mori drejtimin e Downing Street, pas fitores së zgjedhjeve në korrik.
Çështja e donacioneve prej ditësh është në qendër të vëmendjes së mediave, ndërsa Qeveria ka paralajmëruar qytetarët britanikë se do të duhet të “shtrëngojnë xhepat” përballë kufizimeve buxhetore.
