Pika Kufitare e Morinës ka përjetuar një fluks të lartë lëvizjesh gjatë 24 orëve të fundit, me rreth 33 mijë qytetarë që kanë hyrë dhe dalë nga territori shqiptar.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri kanë hyrë 17,363 shtetas me mbi 5,100 automjete dhe 66 autobusë, ndërsa kanë dalë 15,704 shtetas me më shumë se 4,100 automjete.
Falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, qarkullimi është kryer pa ndalesa dhe pa krijuar radhë të gjata në kufi, duke lehtësuar ndjeshëm kalimin e udhëtarëve.
Pjesa më e madhe e qytetarëve që hyjnë në vend janë pushues, kryesisht nga Kosova, të cilët zgjedhin Shqipërinë për të kaluar fundjavën apo pushimet sezonale. Destinacionet më të preferuara mbeten bregdeti, qendrat historike, si dhe zonat kurative, përfshirë llixhat në Elbasan.
Ky fluks konfirmon edhe njëherë rolin e rëndësishëm që turistët nga Kosova kanë në zhvillimin e turizmit në Shqipëri, veçanërisht në sezonet e ngarkuara.
