Rënia e nivelit të ujërave në liqenin e Fierzës, vazhdon pa ndërprerje. Mungesa e reshjeve dhe rënia e prurjeve të lumenjve po e çojnë drejt tharjes basenin më të madh ujëmbledhës në vend.
Situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të dy lumenjve kryesor janë shumë të pakta ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike ekziston.
Sipas televizionit Report, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 50 metër kub ujë në sekondë ndërsa rënia e nivelit është 40 cm në 24 orë ndërkohë që niveli i ujit vetëm javën e fundit ka rënë me dy metra.
Në mesin e tetorit ishte 271.91 metra. Aktualisht niveli në liqen sipas KESH ka arritur në 269.21 metër nga 296.5 e kuotës maksimale.
Kjo rënie ka sjell edhe daljen e bazamenteve të dy urave mbi Drinin e Zi, ndërsa baseni i Fierzës po lë bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij.
