Fermerët e zonës bregdetare të Divjakë kanë nisur vjeljen dhe tregtimin e patates dhe qepës së hershme, por thonë se çmimet aktuale nuk mbulojnë kostot e prodhimit.
Aktualisht, qepa po shitet nga 35 deri në 50 lekë për kilogram, ndërsa patatja nga 40 deri në 50 lekë, në varësi të cilësisë dhe kërkesës në treg.
Fermeri Asbi Shuli nga fshati Mizë u shpreh se çmimet nuk janë të leverdishme për prodhuesit vendas, ndërsa fermerja Sherife Shuli deklaroi se rendimenti këtë vit është ulur ndjeshëm për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe problemeve me cilësinë e farërave dhe plehrave kimike.
Sipas fermerëve, një tjetër problem mbetet konkurrenca nga produktet e importit, të cilat hyjnë në treg me çmime më të ulëta.
Edhe prodhuesit e patates së hershme shprehen të shqetësuar, pasi shumë prej tyre ende nuk kanë shitur prodhimin e vjetër të sezonit të kaluar.
Fermeri Xhevdet Taragjini nga fshati Zharrnec tha se në zonë ka ende qindra kuintalë patate të pashitura, ndërkohë që prodhimi i ri ka dalë tashmë në treg.
Fermerët ankohen gjithashtu se tregtarët që blejnë produktet direkt në parcela nuk u japin faturë tatimore, çka i pengon të përfitojnë subvencionet shtetërore.
“Jemi të detyruar ta shesim mallin menjëherë, sepse ndryshe na kalbet”, shprehen ata.
Zona përgjatë lagunës së Divjakës, në fshatrat Mizë, Xeng dhe Zharrnec konsiderohet një nga zonat më të përshtatshme për prodhimin e hershëm të patates dhe qepës, produkte që tradicionalisht furnizojnë jo vetëm tregun vendas, por edhe tregjet rajonale.
