Erjon Llapushi, i dënuar për vrasjen e kamarierit Gazment Kurmaku pas ngjarjes së ndodhur në tetor 2021 në Labinot të Elbasanit, ka reaguar publikisht duke kundërshtuar cilësimin juridik të veprës penale për të cilën është dënuar.
Në një deklaratë të gjatë, Llapushi shprehet se nuk mohon pasojën tragjike të ngjarjes, por pretendon se nuk ka pasur qëllim për t’i marrë jetën viktimës dhe se dënimi për veprën penale “vrasje me dashje” nuk pasqyron, sipas tij, rrethanat reale të rastit.
“Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi. Nuk pranoj të quhem vrasës me dashje kur nuk kam pasur qëllim për të vrarë”, thuhet në reagimin e tij.
Sipas Llapushit, ngjarja ka qenë pasojë e një konflikti spontan dhe e një goditjeje të vetme, pa përdorim arme, pa planifikim dhe pa armiqësi të mëparshme mes palëve. Ai pretendon se gjykata nuk ka vlerësuar siç duhet provat dhe rrethanat konkrete të çështjes.
Në deklaratën e tij, ai ngre gjithashtu pretendime për standarde të ndryshme në trajtimin e rasteve të ngjashme, duke kërkuar rishikim institucional të mënyrës së ngritjes së akuzës dhe zhvillimit të procesit gjyqësor.
Llapushi bën të ditur se familja e viktimës dhe familja e tij kanë normalizuar marrëdhëniet përmes një akti noterial të vitit 2021 dhe pyet nëse ky dokument është marrë në konsideratë gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Ai shpreh edhe pretendime për shkelje procedurale gjatë hetimit, përfshirë mënyrën e përgjimeve dhe trajtimin e tij nga organet ligjzbatuese, ndërsa njofton se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të kërkuar rishqyrtimin e çështjes.
Ngjarja për të cilën Llapushi është dënuar ndodhi më 2 tetor 2021 në një restorant në Labinot të Elbasanit. Sipas hetimeve të Prokurorisë, konflikti nisi për një tavolinë të rezervuar dhe gjatë përplasjes humbi jetën kryekamarieri Gazment Kurmaku. Pas ngjarjes, Llapushi u shpall në kërkim dhe më pas u vu përballë drejtësisë, ku u dënua për veprën penale “vrasje me dashje”.
