Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë do të shqyrtojë sot padinë e depozituar nga Erion Veliaj, i cili kërkon shpalljen të pavlefshëm të dekretit për emërimin e Ols Dado në detyrën e prokurorit.
Veliaj, i cili do të jetë i pranishëm personalisht në seancë, ka paditur si institucionin e Presidentit të Republikës ashtu edhe vetë prokurorin Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga ish-presidenti Bamir Topi.
Sipas kërkesë-padisë, emërimi i Dados është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret e nevojshme ligjore, përfshirë mungesën e përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Për këtë arsye, pala paditëse argumenton se akti është “nul ab initio”, pra i pavlefshëm që në origjinë.
Në dokumentin ligjor theksohet se të gjitha veprimet e ndërmarra nga prokurori ndaj Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimet ndaj mandatit të tij si kryebashkiak, mbështeten mbi një akt të pavlefshëm, duke sjellë pasoja të rënda jo vetëm për individin, por edhe për institucionet dhe rendin kushtetues.
Përplasja mes Veliajt dhe Dados është përshkallëzuar pas vendimit të këtij të fundit për arrestimin e kryebashkiakut në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit.
Padia ngre një çështje thelbësore për sistemin e drejtësisë: nëse një funksionar publik që nuk ka përmbushur kriteret ligjore mund të ushtrojë pushtet penal dhe nëse aktet e tij mund të konsiderohen të vlefshme.
Sipas mbrojtjes, ky proces tejkalon një konflikt individual dhe prek drejtpërdrejt parimet e shtetit të së drejtës, duke vënë në diskutim ligjshmërinë e burimit të pushtetit në institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Vendimi i gjykatës pritet të ketë ndikim të rëndësishëm jo vetëm për këtë çështje konkrete, por edhe për standardet ligjore që rregullojnë emërimet dhe ushtrimin e funksioneve publike në vend.
