Ish-drejtuesi i KESH, Erald Elezi dhe ish-kreu i ARRSH, Gentjan Gjyli janë paraqitur këtë të hënë në ambientet e GJKKO, në kuadër të hetimeve për tenderin e tunelit të Llogarasë.
Të dy ish-zyrtarët ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa më 18 maj gjykata vendosi zgjatjen e afatit të kësaj mase edhe për tre muaj të tjerë.
Çështja lidhet me hetimet e SPAK për procedurat tenderuese të tunelit të Llogarasë, dosje në të cilën është marrë e pandehur edhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Sipas raportimeve mediatike, nga këqyrja e pajisjeve telefonike të ish-kreut të ARRSH, Ervis Berberi, hetuesit kanë administruar komunikime që, sipas organit të akuzës, lidhen me dyshime për ndikim në përzgjedhjen e kompanive fituese në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe në lote të ndryshme të Unazës së Madhe të Tiranës.
Hetimet për këtë çështje vijojnë ende, ndërsa deri tani nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë për personat e përfshirë në dosje.
