Kanë nisur homazhet në Pogradec për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim në Maliq.
Qytetarë, familjarë, kolegë dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit efektivit, i cili u nderua për shërbimin dhe përkushtimin e tij në detyrë. Në homazhe mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Sipas familjarëve, Enea Mekolli do të prehet në varrezat e fshatit të tij të lindjes. Edhe pse statusi i “Dëshmorit të Atdheut” parashikon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ai të prehet pranë vëllait të tij, i cili gjithashtu ka shërbyer si efektiv policie dhe ka ndërruar jetë vite më parë pas një sëmundjeje.
Një ditë më parë, pranë familjes së efektivit të ndjerë shkuan për ngushëllim ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
