Negociatat mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste futen në ngërç. Një ditë pasi u dakordësuan parimisht për 2 komisione hetimore dhe ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, palët nuk arritën t’i vënë vulën në Konferencën e Kryetarëve, e parashikuar për t’u mbajtur mesditën e djeshme. Konferenca e Kryetarëve u shty me kërkesë të të gjitha palëve, ndërsa Gazment Bardhi sqaroi dje para mediave pas mbledhjes së deputetëve të tij se ku ka ngecur puna, duke mos fshehur dilemën se negociatat edhe mund të dështojnë. “Është dakordësuar shtyrja e mbledhjes. Nuk ka asnjë marrëveshje. Ka një dialog politik, normal për një vend kandidat për në BE. Sa për hapa pas e ftoj të numëroj hapat nga 3 në 2 në 1 dhe do shkoj ai hapa pas. Është dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Nuk kam pohuar atë që ju pohoni. Atë që kam thënë që hetimi parlamentar është çështje vullneti politik. Sa i takon hetimit parlamentar nëse kjo dakordësi finalizohet, hetimi parlamentar do të kryhet në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk ka tërheqje”, deklaroi Bardhi, teksa theksoi se kryeministri Edi Rama vijon të jetë kundërshtari politik.
Reagon Rama
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka reaguar dje lidhur me situatën politike dhe negociatat me Rithemelimin për kthimin e normalitet në Kuvend dhe negociatat për komisionet hetimore. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama theksoi qartë se pazari me “non-gratën”, referuar Sali Berishës nuk ekziston. “Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize! Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro! Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston? Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim. Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?! Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë. Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh”, shkroi dje kryeministri Edi Rama.
PD zyrtare sulmon kryeministrin
Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj i ka cilësuar si pazare negociatat e mazhorancës me Rithemelimin. Duke ju përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili tha se nuk ka pazare me Rithemelimin, Alibeaj tha se asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me “non grata-n”. “Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që Rama po bën pazar për Reformën Zgjedhore. Vetëm një gjë ama duhet pranuar se e ka thënë drejt: asgjë nuk ka ndryshuar! Asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me Non Grata-n. Asgjë nuk duan të ndryshojnë: listat të mos i hapin; diaspora të mos votojë; të marrin mandate gratis në tavolinë. Mund të jeni 3 hapa para me spërdredhje siç keni bërë për 30 vjet në kurriz të shqiptarëve por mos harroni se shqiptarët shkelmin e kanë gati”, shkroi dje Alibeaj në rrjetet sociale.
