Kreu i SPAK, Altin Dumani ka vendosur të rimodelojë Prokurorinë e Posaçme, ndërsa ka nxjerrë jashtë loje “njeriun” e kryeministrit Edi Rama brenda këtij institucioni, prokurorin special, Ervin Kondili, duke e hequr nga dosjet korruptive të qeverisë. Kështu me plotësimin e numrit të prokurorëve në organikën e SPAK-ut, kreu i këtij institucioni Altin Dumani, ka bërë një rimodelim të dy seksioneve hetimore që funksionojnë në Prokurorinë e Posaçme. Dy prokurorët Ervin Kondili dhe Manjola Kajana që kanë shërbyer për gati 5 vite me radhë në Seksionin e Krimit Financiar dhe Shpërdorimit të Detyrës, me urdhër të Dumanit janë larguar, duke u transferuar në Seksionin Hetimor të Krimit të Organizuar.
Në vend të tyre tek seksioni hetimor i krimit financiar janë emëruar dy prokurorët e rinj që erdhën në SPAK në fillim të muajit Gusht, Anita Jella dhe Bledar Maksuti. Në total, aktualisht SPAK-u ka 20 prokurorë, të cilët funksionojnë në tre seksione që janë Seksioni Kundër Krimit Financiar, Seksioni Kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë. Ndërkohë gazeta “SOT” ka mësuar prapaskenat e kësaj lëvizje të papritur, teksa largimi i prokurorit Kondilit është një mesazh i fortë për qeverinë socialiste. Ishte Ervin Kondili që futi në sherr kryeministrin Rama me ish-ambasadoren amerikane në vendin tonë, Yuri Kim në ditët që do të zgjidhej kreu i ri i SPAK.
Dhe mesa duket kjo lëvizje i ka thelluar edhe më shumë krisjet e kryeministrit Rama me amerikanët dhe vetë kryeprokurorin special, Altin Dumani. Pra me Altin Dumanin në krye, Prokuroria e Posaçme duket se po rimodelohet, duke synuar të adresojë sfidat e përballjes me abuzimet e pushtetit dhe për të sjellë një nivel të ri transparence dhe llogaridhënie. Kjo situatë krijon një klimë të re, ku rolet dhe pozitat e individëve në pushtet janë vënë në dyshim, duke hapur rrugën për një luftë më të fortë ndaj korrupsionit në Shqipëri, sidomos atij në qeveri.
Kondili, prokurori “i preferuar” i socialistëve
Megjithatë për t’u kthyer tek konflikti SPAK-Rama-SHBA, sjellim në vëmendje të publikut se gjatë një mbledhje plenare maratonë që zgjati afro gjashtë orë të premten më 16 dhjetor 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit. Dumani u emërua si drejtues i SPAK për tre vitet e ardhshme me pesë vota të 10 anëtarëve të Këshillit të pranishëm.
Në media dhe në korridoret e politikës u përfol për një përplasje të fortë mes qeverisë “Rama” dhe amerikanëve, për shkak se socialistët synon të kapnin institucionin e SPAK, duke katapultuar në krye të saj “besnikun” e tyre, që ishte Kondili, por në fund kryeministri Rama e humbi betejën me amerikanët. Loja e pistë, duket se u nuhat nga amerikanët, të cilët kanë mbështetur reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj me miliona dollar fonde, ndërsa u fut në lojë, duke “prerë” duart e zgjatura nga politika, për të kapur Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe shantazhuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Presione të forta politike për SPAK
Pra Dumani ka filluar spastrimet brenda SPAK për të zhdukur presionin dhe kapjen nga politika. Së fundmi, pushtetarët e lartë të korruptuar në Shqipëri janë terrorizuar nga drejtësia e re. Teksa SPAK po lufton të çojë pas hekurave të paprekshmit, grupet e interesit të prekur nga kjo fushatë që tashmë do jetë e përhershme, kanë nisur të vendosin stërkëmbësha ndaj drejtësisë së re, me qëllim që të “hedhin në erë” punën e saj. Sipas informacioneve, mësohet se grupet kriminale dhe politikanë të fuqishëm kanë rritur presionin ndaj prokurorëve të SPAK, në mënyrë që ata të mos jenë objektiv i këtij institucioni. Tmerrin që po përjetojnë zyrtarët e implikuar në afera në Shqipëri, po e tregojnë shumë qartë sulmet e fundit drejt kryetarit të ri të SPAK. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta udhëheqin akuzat e forta drejt drejtësisë së re.
